Shpejtësi deri në 181 km/orë në rrugën Tiranë-Elbasan, pezullohen 10 leje drejtimi


TIRANË, 22 shtator/ATSH/ Policia Rrugore e Tiranës evidentoi nga kontrolli me radar në rrugën interurbane Tiranë – Elbasan, 10 drejtues mjetesh që qarkullonin me shpejtësi mbi normat e lejuara, shpejtësi që varionin nga 134 km/orë deri 181 km/orë, të cilëve iu pezullua leja e drejtimit nga 1 deri në 9 muaj dhe masë administrative nga 7.000 deri në 20.000 lekë.

Policia vendosi po ashtu 18 masa administrative nga 2.000 deri në 4.000 lekë për shpejtësi mbi normat e lejuara, që varionte nga 118 km/orë deri në 127 km/orë.

Kontrollet kanë vazhduar dhe po vijojnë në të gjitha rrugët e kryeqytetit duke përdorur alkool testuesit dhe si rezultat gjatë dy netëve të fundit janë evidentuar dhe iu është pezulluar leja e drejtimit 8 drejtuesve të automjeteve të cilët drejtonin mjetin nën efektin e alkoolit, në masën që varionte nga 0.33 mg/l deri në 0.46 mg/l.

Po ashtu u vendosën 17 masa administrative me vlerë 15.000 lekë ecila për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, por pa sanksionin plotësues të pezullimit të lejes së drejtimit.

Policia e Shtetit apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës që të zbatojnë rregullat e qarkullimit rrugor, të mos nxitojnë për të arritur në destinacion duke kryer parakalime të gabuara e manovra të rrezikshme në rrugë, të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit, të mos drejtojnë mjetin nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur, të vendosin rripin e sigurimit dhe kaskën mbrojtëse pasi në të gjitha rrugët e vendit ka radarë dhe prezencë të Policisë Rrugore, të pajisur edhe me dronë, dragera, kamera e aparate fotografike.

Policia e Shtetit fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe në Komisariatin Dixhital, çdo shkelje të Kodit Rrugor, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe reagim të shpejtë e profesional./m.m/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.