Projektet në art dhe kulturë, Margariti: Etapë e re rikonstruksionesh dhe restaurimesh

TIRANË, 22 shtator/ATSH/ Ministrja e Kulturës, Elva Margariti deklaroi sot se “rikonstruksioni i Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit është thjesht fillimi i një etape akoma më të gjatë rikonstruksionesh të hapësirave të kulturës”.

Në një intervistë televizive, Margariti tha se “ajo që kemi vënë re në gjithë këto vite është pikërisht mungesa e këtyre hapësirave ose mungesa e standardeve dinjitoze”.

“Po fillojmë menjëherë punën me Galerinë Kombëtare të Arteve, një tjetër projekt madhor i konfirmuar nga kryeministri Rama edhe pse ka përsëri një buxhet të lartë për të gjithë buxhetin e shtetit, por është një tjetër nismë kjo e gjithë qeverisë për të mbështetur artin e kulturën”, – theksoi Margariti.

Një tjetër projekt, vijoi Margariti, është ai i Qendrës Kombëtare të Kulturës për Fëmijë, një tjetër nga politikat që lidhet me prioritetet e gjithë qeverisë dhe që ia kam propozuar Kryeministrit që me marrjen e mandatit të parë dhe tani e kemi konkretizuar edhe atë me një buxhet e mbështetje.

“Uroj që ky pol i ri kulturor të fillojë vitin tjetër, ndërsa galeria do të fillojë që këtë vit”, shtoi Margariti.

Ministrja Margariti tha se do të vazhdojmë me Teatrin Kombëtar, i cili bashkë me rikonstruksionin dhe zgjerimin e Galerisë Kombëtare të Arteve do të krijojë një pol të ri në Pedonale, por dhe një magnetizëm jo vetëm kundrejt artistëve shqiptarë dhe të huaj, por në të gjithë planifikimin e territorit dhe qendrës së Tiranës.

Duke folur për projektet në qytetet e tjera të vendit, ministrja Margariti theksoi se “dua të ndalem tek muzeu Hebraik në Vlorë, një nga projektet tona prioritare, të cilat e shtrijnë influencën e tyre përtej kufirit të Shqipërisë. Kemi një bashkëpunim shumë të mirë me donatorët e huaj në rastin konkret me Fondin Amerikan për Zhvillim”.

Më tej Margariti u shpreh se “tërmeti ka qenë një nga fokuset e qeverisë. Ministrinë e Kulturës e ka gjetur me mbështetje të paprecedentë me një shumë prej 40 milionë euro nga Bashkimi Europian, një konfirmim i marrë në Konferencën e Brukselit. Është hera e parë që Ministria e Kulturës merr një fond të tillë, i cili nuk fokusohet vetëm në restaurim, por në rijetësim, duke parë lidhjen me komunitetin, të rinjtë dhe zhvillimin ekonomik të zonave”.

“Ka filluar puna në terren dhe tashmë kemi site të tëra në proces restaurimi. Mozaiku i Muzeut Historik Kombëtar tashmë është në restaurim të plotë, fillojmë shumë shpejt në fund të tetorit restaurimin e Teatrit të Kukullave, i cili pati dëmtime që në tërmetin e shtatorit 2019. Janë rreth 30 site, por ato ku doja të ndalesha janë jo vetëm sitet madhore të Tiranës, por ka filluar puna në kishën e Rubikut, ashtu siç do të fillojë në Muzeun Etnografik në Krujë, në Muzeun Etnografik në Kavajë. Ka filluar puna në Kullën e Sahatit në Krujë, në Kullën e Prezës, në site të rëndësisë më të lartë sa i takon datimit historik që kanë”, – nënvizoi Margariti.

Ministrja bëri të ditur se “do të vazhdojmë edhe me restaurimin e kalave, kemi një program të detajuar me BE-në. Janë 30 site që po çojmë përpara me BE-në”.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.