Policia Federale gjermane dhuron 14 automjete dhe 3 sete Smartdec për Policinë e Shtetit


TIRANË, 22 shtator/ATSH/ Policia Federale gjermane i dhuroi Policisë së Shtetit 14 automjete dhe 3 sete Smartdec, me vlerë totale 305 mijë euro.

Ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, Peter Zingraf i dorëzoi sot donacionin drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, gjatë ceremonisë së zhvilluar në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Ambasadori Zingraf u shpreh se “lufta kundër krimit të organizuar është një ndër pikat më të forta të bashkëpunimit mes vendeve tona”.

“Dhurimi i këtyre pajisjeve për Policinë Kufitare të shtetit shqiptar, gjithashtu dhe për Policinë Kriminale është një shenjë e fortë bashkëpunimi për të luftuar mbi të gjitha migracionin e paligjshëm, por dhe trafikimin e lëndëve narkotike. Këto automjete që po dhurohen do të ndihmojnë më tej për të përballuar sfidat që ka Policia Kufitare dhe gjithashtu për të përforcuar akoma më tej flotën e automjeteve të Policisë së Shtetit”, tha ai.

Ndërsa Veliu vlerësoi se mbështetja e vazhdueshme e Policisë Federale gjermane, për Policinë e Shtetit ka rritur efikasitetin dhe rezultatet e punës së Policisë Kriminale dhe asaj Kufitare.

Sipas tij, “donacioni do shërbejë në rritjen e performancës në drejtim të kontrollit të kufijve, parandalimit dhe goditjes së krimeve ndërkufitare”.

“14 automjete dhe tre sete Smartdec, me vlerë totale 305 mijë euro janë një ndihmë e konsiderueshme për punonjësit e Policisë Kufitare, pasi shërbejnë në rritjen e performancës në drejtim të kontrollit të kufijve, parandalimit dhe goditjes së krimeve ndërkufitare.
Rinovimi i flotës së Policisë së Shtetit, me automjete të reja dhe cilësore, siguron një lëvizshmëri të shpejtë, efikase dhe njëherazi përmirëson kushtet e punës dhe të shërbimit të punonjësve të Policisë së Shtetit”, tha ai.

Veliu vlerësoi se bashkëpunimi me agjencitë ligjzbatuese gjermane është shtrirë në fusha të ndryshme si trajnime, asistencë teknike, mjete transporti, pajisje e materiale të ndryshme për Policinë Kriminale dhe forcat speciale etj.

“Për periudhën 2017-2021 janë bërë donacione të ndryshme që e kalojnë vlerën e 350 milionë lekëve të reja. Policia Federale gjermane është një ndër kontribuesit më të mëdhenj në Operacionin Western Balkanas 2019-2020, të FRONTEX në vendin tonë.
Aktualisht, ekspertë gjermanë, të atashuar pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit po bashkëpunojnë me ekspertët e Policisë shqiptare dhe janë në fazën e fillimit të trajnimit të forcave speciale”, shtoi ai.

Po ashtu, Veliu theksoi se bashkëpunimi me Policinë Federale gjermane ka qenë shumë i suksesshëm edhe në shkëmbimin e informacionit për verifikimet e identitetit të shtetasve të ndryshëm dhe ripranimin e menjëhershëm të shtetasve shqiptarë, që kapen nga autoritetet gjermane, duke përdorur dokumente udhëtimi të falsifikuara.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.