NJU JORK – Maas: Takimi i kryediplomatëve u shty për shkak të pakënaqësisë franceze

BERLIN, 22 shtator /ATSH-DPA/ – Një takim i ministrave të Jashtëm të Francës, SHBA-së, Britanisë së Madhe dhe Gjermaninë, në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, dështoi për shkak të mosmarrëveshjes mbi aleancën e re të sigurisë në rajonin e Indo-Paqësorit.

Pala franceze u tërhoq nga takimi i planifikuar.

”Nuk u anulua, thjesht u shty”, konfirmoi ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas.

”Arsyeja ishte pakënaqësia nga ana franceze, të cilën unë mund ta kuptoj, dhe se disa gjëra së pari duhet të rregullohen para se të ulemi së bashku në këtë format”, shtoi Maas.

Një zyrtar i Departamentit amerikan të Shtetit përmendi vështirësitë e planifikimit dhe theksoi se ”nëse një takim i tillë është ende i nevojshëm këtë javë mbetet për t’u parë”.

Zyrtari theksoi se ai pret që sekretari i Shtetit, Antony Blinken dhe homologu i tij francez Jean-Yves Le Drian të kenë një shans tjetër për të shkëmbyer pikëpamje, më vonë gjatë javës.

Pakti i ri për Indo-Paqësorin ndërmjet SHBA-së, Britanisë së Madhe dhe Australisë, i arritur javën e kaluar, shkaktoi një krizë të thellë diplomatike midis Uashingtonit dhe Parisit.

Aleanca duket se është krijuar për të kundërshtuar një kërcënim ushtarak nga Kina në Indo-Paqësor, por ka prishur një marrëveshje shumë miliardë dollarëshe midis Australisë dhe Francës.

Presidenti francez Emmanuel Macron ka tërhequr ambasadorët e tij në Australi dhe SHBA, një lëvizje shumë e pazakontë midis aleatëve./   /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.