NJU JORK – Borell takon liderët e Ballkanit Perëndimor: Angazhim për të çuar përpara procesin e anëtarësimit

NJU JORK, 22 shtator /ATSH/ – Përfaqësuesi i Lartë për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë si edhe zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, Josep Borrell shtroi një darkë jozyrtare me udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor, në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.

Ky ishte takimi i dytë i tillë i organizuar nga Përfaqësuesi i Lartë, pas darkës joformale në Bruksel në maj.

Përfaqësuesi i Lartë dhe udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor patën një shkëmbim të hapur mbi situatën në rajon dhe mbi marrëdhëniet BE-Ballkani Perëndimor, gjithashtu në kuadër të samitit të ardhshëm BE-Ballkani Perëndimor muajin e ardhshëm.

Borrell theksoi nevojën për një angazhim të fortë si nga partnerët e Ballkanit Perëndimor, ashtu edhe nga Bashkimi Evropian dhe shtetet anëtare për të kapërcyer dinamikën aktuale dhe për të çuar përpara procesin e anëtarësimit.

Në këtë takim morën pjesë presidenti i Malit të Zi Milo Gjukanoviç, presidenti i Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski, presidenti i Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës Zheljko Komshiç, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe ministri i Jashtëm i Serbisë Nikola Selakoviç./   /os/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.