LONDËR – Johnson: Marrëveshja AUKUS një hap i madh përpara për sigurinë globale

LONDËR, 22 shtator /ATSH-DPA/ – Kryeministri britanik, Boris Johnson u përpoq sot të qetësojë zemërimin e Francës në lidhje me marrëveshjen për nëndetëset, duke këmbëngulur që presidenti francez Emmanuel Macron duhet të kontrollojë emocionet e tij.

Duke folur me gazetarët në Uashington, Johnson tha se “Unë thjesht mendoj se ka ardhur koha që disa nga miqtë tanë më të dashur në mbarë botën të kontrollojnë emocionet e tyre nëë lidhje me këtë çështje dhe të më lënë të marr frymë”.

“Sepse kjo marrëveshje është, në thelb, një hap i madh përpara për sigurinë globale. Janë tre aleatë me mendje të njëjtë, që qëndrojnë krah për krah, duke krijuar një partneritet të ri për ndarjen e teknologjisë”, vazhdoi ai.

“Nuk është ekskluzive. Askush nuk po përpiqet të lërë dikë jashtë (…)”, theksoi Johnson.

Pakti Australi-BM-SHBA, AUKUS, vendosi që Sidnei të ndjekë zhvillimin e nëndetëseve me energji bërthamore në kurriz të një marrëveshjeje me Francën për të siguruar nëndetëse me naftë-elektrike.

Kjo shkaktoi pasoja diplomatike, me Francën që tërhoqi ambasadorët e saj nga Australia dhe SHBA-ja, si edhe shtyu takimet e nivelit të lartë./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.