Konjufca: Thellim i bashkëpunimit mes Kuvendit të Kosovës dhe Shqipërisë

TIRANË 22 shtator /ATSH-I.Vata/ Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka pritur sot kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp me Nikollën, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca tha se “do jemi partnerë, se marrëdhëniet miqësore nuk është e mjaftueshme për të përshkruar marrëdhëniet tona të shkëlqyeshme që kemi me Shqipërinë, sepse ato janë relacione vllazërore. Kështu janë dhe kështu duhet t’i quajmë me emrin e tyre të vërtetë”.

“Ne vazhdimisht kemi pasur marrëdhënie të mira me Republikën e Shqipërisë dhe ato diktohen për shkak të shkakut të qartë dhe të thjeshtë për të cilën është i vetëdijshëm çdo qytetar i Kosovës dhe i Shqipërisë. E ky është fakti se jemi një komb dhe po bëhet fjalë për kombin shqiptar, i cili jeton sot në dy shtete por dhe përtej këtyre dy shteteve, prandaj Republika e Shqipërisë dhe e Kosovës, institucionet tona përfaqësuesit më të lartë publikë, por dhe ata të emëruar duhet ta kenë parasysh që duhet ta artikulojnë përfaqësimin e interesit tonë të përbashkët kombëtar”, theksoi ai.

Konjufca shtoi se ne nuk mund të gjejmë fjalë të mjaftueshme për të shprehur falënderimin tonë për Shqipërinë gjatë dekadave dhe gjatë viteve.

“Pra në çdo fazë që ka kaluar Republika e Kosovës për arritjen e lirisë dhe çlirimit tonë prej okupacionit serb, dhe pastaj përpjekjet tona të vazhdueshme të cilat kanë qenë shumë të vështira për themelimin e institucioneve të shtetit të Kosovës e pastaj, çdo moment kritik që kemi kaluar si popull dhe si shtet i Kosovës, duke nisur që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, dhe pastaj përpjekjet jo dhe aq të lehta për arritjen e numrit më të madh të njohjeve prej shteteve të ndryshme, në prapavijë keni pasur kontributin e palodhshëm dhe shumë të çmuar të Shqipërisë e cila ka qenë në krah të Kosovës në arritjet e përbashkëta”, tha ai.

Në vijim, Konjufca tha se “meqë në çdo institucion ekziston një bashkëpunim i admirueshëm me institucionet tona, qeveritë tona kanë takime të rregullta në një bashkëpunim të ngushtë, tani mendoj se dhe Kuvendet tona kanë një hapësirë të konsiderueshme për ta thelluar bashkëpunimin. Dhe zgjedhja e kryetares Nikolla në krye të Kuvendit na ka mbushur me më shumë optimizëm për të hapur një kapitull të ri të bashkëpunimit në fushim e parlamenteve tona. Deri më tani kemi patur në disa rrafshe një bashkëpunim intensiv, sidomos në fushën e legjislacionit dhe të politikës së jashtme, pra komisionet tona kanë qenë më aktive dhe një bashkëpunim më dinamik ka ndodhur në fushën e politikës së jashtme dhe fushën e legjislacionit, por ne duhet të shkojmë drejt takimeve të rregullta të komisioneve tona mes dy shteteve mes dy parlamenteve që të bëjmë projekte të përbashkëta dhe të ulemi dhe të bashkëpunojmë në ato fusha që na lidhin ngushtë dhe janë në interes të qytetarëve”, tha ai.

“Kosova ka shumë sfida përpara, por meqë vazhdimisht po sigurohemi edhe nga Kryetarja Nikolla dhe nga Kryeministri Rama se do të qëndrojnë krah Kosovës në mbrojtje të interesave tona, kjo na mbush me më shumë kurajo se e ardhmja e popullit tonë do jetë më e ndritur se sot për shkak se ne do të lidhemi më shumë me njëri-tjetrin, sepse ky është thelbi ynë i përbashkët kombëtar”, tha në fund Konjufca.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.