Komiteti Teknik i Ekspertëve nuk ndryshon masat, detyrim certifikata e vaksinimit ose test i përjavshëm për arsimtarë e studentë

TIRANË, 22 shtator/ATSH/ Komiteti Teknik i Ekspertëve në mbledhjen e sotme vendosi lënien në fuqi të masave ekzistuese antikovid, duke nënvizuar rëndësinë e vaksinimit, sidomos në prag të fillimit të vitit të ri shkollor.

Kryetarja e Komitetit Teknik të Ekspertëve, Mira Rakacolli deklaroi sot në një konferencë për mediet se “situata mbetet këtë javë relativisht e qëndrueshme dhe se u vendos të mos ketë një ndryshim të masave që kemi deri tani në fuqi”.

“Shumë i rëndësishëm është momenti i vaksinimit të personelit arsimor. Kemi thënë që personeli arsimor do të jetë i vaksinuar deri ditën që do të fillojë mësimi. Për këtë punë është lënë edhe vaksinimi i hapur. Nëse do të ketë arsimtarë ose personel tjetër arsimor që nuk është vaksinuar, atëherë atyre do t’u duhet që të provojnë faktin që nuk janë të infektuar, nëpërmjet dokumentit të PCR të negativizuar, e cila do t’u kërkohet që të jetë e paraqitur çdo javë. Përsa i përket vaksinimit të personelit mjekësor, të studentëve do të vazhdojë të jetë vaksinimi i hapur. Prandaj ju bëjmë thirrje të gjithë atyre që akoma nuk e kanë bërë, të rendin shpejt drejt qendrave të vaksinimit vetëm me kartën e tyre të identitetit dhe ta bëjnë vaksinën menjëherë”, u shpreh kryetarja e Komitetit Teknik të Ekspertëve prof. Mira Rakacolli.

“Ora policore do të vijojë të jetë nga ora 23:00 – 06:00; përdorimi i maskave do të jetë i detyrueshëm në ambientet e mbyllura, aeroporte, transport publik, supermarket, qendra tregtare. Do të vazhdojë të mos lejohet grumbullimi i njerëzve më shumë se 50 veta, do të lejohen kampionatet sportive me prezencë të tifozëve me kapacitete të reduktuara deri në 30 %, sipas protokollit të ISHP”, – theksoi Rakacolli.

Rakacolli tha se “në pikat kufitare do të kërkohet certifikata e vaksinimit, nëse qytetarët e huaj nuk e kanë certifikatën e vaksinimit duhet të paraqesin provën e kalimit te sëmundjes brenda të 180 ditëve, testin e shpejtë për 48 orë dhe deri në 72 orë për PCR që janë të negativizuar. Ndërsa qytetarët shqiptarë që nuk e kanë asnjë nga këto dokumente është në fuqi karantinimi i tyre për 10 ditë”.

Sa i përket vaksinimit të personelit shëndetësor dhe studentëve, Rakacolli u shpreh se “do të vazhdojë të jetë vaksinimi i hapur edhe këtë muaj, prandaj i bëj thirrje të gjithë atyre që nuk ekanë bërë vaksinën të shkojnë drejt qendrave të vaksinimit”.

“Për të lehtësuar lëvizjen ndërkufitare të qytetarëve dhe dihet që një nga testet që kërkohet është ai i shpejtë të gjithë laboratorët private të cilat kanë berë deri tani testin PCR mund te opërdorine dhe testet e shpejta që përmbushin kriteret e përcaktuara Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore”, – shtoi Rakacolli.

Masat anti-COVID në fuqi:

–    Ora policore nga 23:00-06:00.
–    Qytetarët të cilët hyjnë në Republikën e Shqipërisë nga të gjitha pikat kufitare duhet të plotësojnë një nga këto tre kushte:
1.    Të kenë pasaportën e vaksinimit, ku nga data e vaksinimit të plotë të ketë të paktën dy javë.
2.    Të kenë testin PCR negativ brenda 72 orëve ose testin e shpejtë të antigenit brenda 48 orëve.
3.    Të kenë provë të kalimit të infeksionit Sars-Cov2, të vlefshme deri në 6 muaj pas shërimit.
Këto rregulla janë të vlefshme edhe për ata qytetarë të cilët kalojnë tranzit në Shqipëri.
Fëmijët deri në 6 vjeç nuk i nënshtrohen këtyre rregullave.

–  Qytetarët shqiptarë rezidentë në Shqipëri, të cilët kthehen dhe nuk kanë një nga dokumentet e sipërcituar, duhet të vetizolohen për 10 ditë dhe të informojnë autoritetin shëndetësor për të kryer një test në fund të periudhës së izolimit.

– Vazhdon të mbetet në fuqi urdhri për përdorimin e maskave në ambientet e mbyllura, në qendra tregtare, supermarket, dyqane, transport publik dhe në të gjitha ato vende ku nuk sigurohet distancimi fizik.

– Nuk lejohet grumbullimi i më shumë se 50 personave.

– Vetëm 30% e kapaciteteve për spektatorë në aktivitete sportive e kulturore.

Në ndërtesën e aeroporteve do të lejohen të hyjnë vetëm pasagjerët që udhëtojnë, duke shmangur shoqërimin nga familjarë të tyre. Këta pasagjerë duhet të zbatojnë me rigorozitet mbajtjen e maskës, ashtu siç është rekomanduar dhe siç po reflektohet ky ndryshim edhe në protokollin e funksionimit normal të aeroporteve.

Vazhdon të mbetet në fuqi urdhri për përdorimin e maskave në ambientet e mbyllura, në qendra tregtare, supermarket, dyqane, transport publik dhe në të gjitha ato vende ku nuk sigurohet distancimi fizik. Në të gjitha rastet kur nuk respektohen masat e rekomanduara do të zbatohen penalitetet, siç është ai individual kur qytetari nuk ka përdorur maskën në ambientet e rekomanduara në masën e gjobës 3 mijë lekë nëse është për herë të parë dhe në rast përsëritje në masën 5 miië lekë. Në rast kur bizneset nuk zbatojnë protokollet e rekomanduara nga Instituti i Shëndetit Publik, masa e penalitetit shkon nga 100,000-700,000 lekë, në varësi të masës e cila nuk është zbatuar.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.