Kampionati i futbollit 9×9, përcaktohet kalendari i plotë

TIRANË, 22 shtator/ATSH/ Federata Shqiptare e Futbollit organizoi këtë të mërkurë hedhjen e shortit për edicionin e tretë të kampionatit kombëtar të futbollit “Sunday League Albania”, i njohur ndryshe si Kampionati 9×9, në zonën e Tiranës, dhe që do të ngrejë siparin nga 27 shtatori. Në shortin e zhvilluar në ambientet e stadiumit “Air Albania” u përcaktua kalendari i plotë me të gjitha ndeshjet e këtij sezoni.

Në këtë edicion të tretë të kampionatit 9×9 në Tiranë do të marrin pjesë 35 skuadra, të ndara në dy grupe, ku njëri grup do të ketë në përbërjen e tij 17 skuadra ndërsa grupi tjetër do të përbëhet nga 18 skuadra. Ndeshjet do të përcaktohen me një sfidë teke dhe jo me sistem vajtje-ardhje, ndërsa më pas do të zhvillohet edhe faza play-off.

Në shortin e hedhur nga drejtori i Futbollit Amator në FSHF, Jurgen Demneri, ishin të pranishëm përfaqësues të skuadrave, të cilët kanë mësuar kundërshtarët e tyre për të 17 javët që do të zhvillohet ky kampionat dhe dy prej tyre janë prononcuar për fshf.org, duke u shprehur të lumtur për zhvillimin e këtij aktiviteti, pasi sporti është një nga mënyrat më të mira për të mbajtur trupin në formë.

“Është një edicion që na mban gjallë pasionin. Është i rëndësishëm për të gjithë, edhe për pjesën e shëndetit, sidomos për ne që jemi edhe ish-futbollistë, që se kemi vazhduar futbollin. Për mendimin tim është një mënyrë e mirë për të mbajtur trupin në formë. Mesa kam parë edhe pjesëmarrja këtë vit është akoma më e madhe, konkurenca patjetër më e madhe dhe shikoj që shumë ekipe e kanë marrë seriozisht pjesëmarrjen. Të gjithë duan të paraqiten mirë, të fitojnë dhe normalisht është një dy orësh që ne kalojmë pas punës”, – thotë njëri nga përfaqësuesit e skuadrave.

Ndërsa një tjetër përfaqësues i bën thirrje të gjithëve të merren me sport. “Si pasionant sporti, pasioni nuk na ka munguar dhe nuk e kemi shmangur kurrë pasionin për sportin. Nëpërmjet sportit gjithmonë është synuar maksimizimi i sportit, por siç po e arrin Sunday League Albania, nuk besoj se e ka arritur ndonjë sport apo sektor tjetër këtu në Shqipëri. Jemi shumë të kënaqur me aktivizimin që bëjmë. Minimalisht një herë në javë marrim pjesë në këtë aktivitet dhe i plotësojmë pak a shumë kërkesat që ka edhe trupi, edhe vetë si njerëz, qoftë nga ana sociale apo fizike për atë që na jep sporti. Si mësues i edukimit fizik, i lutem të gjithëve të merren me sport dhe të shmangin gjërat e dëmshme”.

Më poshtë, kalendari i plotë i kampionatit 9×9 në zonën e Tiranës:

KALENDARI GRUPI A

KALENDARI GRUPI B

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.