Gjiknuri prezanton Manjën si drejtues politik të PS-së të qarkut Dibër

TIRANË, 22 shtator/ATSH/ Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri po vijon turin e prezantimit të drejtuesve politikë të Partisë Socialiste në qarqe.

Gjiknuri zhvilloi një takim me strukturat në Dibër, ku prezantoi Ulsi Manjën si drejtues politik të këtij qarku.

“Ulsiu e njeh shumë mirë zonën. Si drejtues politik ai ka funksionin kyç për çuarjen e Qarkut drejt fitores në zgjedhjet e ardhshme. Jam i bindur që me pjekurinë e tij do dijë të harmonizojë të gjithe komponentët në rrugën e duhur”, tha Gjiknuri.

Ai theksoi se përfundimi i regjistrit të anëtarësisë së Partisë Socialiste dhe riorganizimi i çdo organizate socialiste janë dy detyrat thelbësore.

Gjithashtu, Gjiknuri falenderoi Dionis Imerajn për punën e bërë si drejtues i qarkut të Dibrës.

Drejtuesi politik i qarkut, Ulsi Manja tha se kthehet pas 5 vjetësh në Dibër, me më shumë përvojë dhe me më shumë beteja elektorale të kaluara, duke gërshetuar, shpirtin, eksperiencën dhe përvojën.

“Jam i bindur që do bëjmë punë të mira. Duhet të jemi të gjithë bashkë”, tha ai.

Sekretari Organizativ, Blendi Klosi theksoi se Partia Socialiste i ka të gjithë shanset të fitojë të katër bashkitë e qarkut Dibër në zgjedhjet vendore.

“Në këtë moment që shikon këtë grupim në këtë sallë kupton që kemi të gjitha shanset për të fituar të 4 bashkitë. Të gjithë në këtë sallë jemi mjaftueshëm të pjekur, të ndërgjegjshëm sesi mund të fitojmë”, tha Klosi.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.