Dënimi nga gjykata, policia kontroll në shtëpinë e ish-kryeprokurorit Llalla

TIRANË, 22 shtator/ATSH/ Policia e Tiranës ka mbërritur mbrëmjen e sotme shtëpinë e ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla, pas urdhrit për kontroll të lëshuar nga SPAK.

Siç raportojnë mediat të cilat kanë publikuar edhe pamje, pas kontrollit të policisë në shtëpi, i cili ka zgjatur 20 minuta, ish-kryeprokurori Llalla nuk është gjetur aty.

Avokati i ish-kryeprokurorit Llalla, Sokol Hazizaj tha sot para medieve se ai është i sëmurë dhe ndodhet i shtruar në një spital, por nuk dihet nëse brenda apo jashtë Shqipërisë.

Vendimi për dënimin e Llallës mori formën e prerë pasi Gjykata e Posaçme e Apelit e shpalli sot fajtor për fshehje të pasurisë për tre raste dhe e dënoi atë me dy vite burgim.

Gjykata e Posaçme e Apelit la në fuqi vendimin e Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, që përfshin edhe 5 vite heqje të së drejtës për të ushtruar funksione publike si dhe konfiskim të pasurisë. /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.