BSH: Stoku i kredisë për biznes, rritje të ndjeshme

TIRANË, 22 shtator /ATSH/ Banka e Shqipërisë publikoi Vrojtimin e Gjendjes Financiare  dhe Huamarrjes së Familjeve për 6-mujorin e parë të këtij viti dhe pritshmëritë e tyre për gjashtëmujorin e dytë të vitit 2021.

Vrojtimi është kryer mbi një kampion rastësor prej 1210 familjesh, të shtrira gjeografikisht në të gjithë vendin.

Sipas këtij vrojtimi, numri total i të punësuarve në kampionin e vrojtuar, ka shënuar rritje  të lehtë krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar dhe me një vit më parë, e ardhur kryesisht nga sektori privat. Gjithashtu edhe niveli i përgjithshëm i të ardhurave dhe shpenzimeve të familjeve ka shënuar rritje gjatë periudhës së vrojtuar dhe krahasuar me një vit më parë; ku rritja ishte më e theksuar në kahun e të ardhurave.

Ndërsa sa i takon huamarrjes, rreth 24 % e familjeve të përgjigjura (ose 261 familje), deklarojnë se kanë hua për të paguar në momentin e intervistimit, pavarësisht llojit, burimit apo vlerës së kësaj huaje.

BSH-ja bën të ditur se, kjo peshë ka mbetur e pandryshuar krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar dhe është rritur  me 1 pikë përqindjeje krahasuar me një vit më parë, duke mbetur nën mesataren historike të vrojtimit prej rreth 28 %.

“Rreth 61 % e tepricës është siguruar nga ‘burime formale’ (‘bankat’ dhe ‘inst. fin. jobankare’) dhe 35 % nga ‘burime të tjera’ (‘persona fizikë’ dhe ‘hua në formë malli’). Kjo strukturë është zhvendosur në favor të huamarrjes “nga burime të tjera” krahasuar me 6-mujorin e kaluar dhe një vit më parë. Sipas qëllimit të përdorimit të huasë, rezulton se rreth 26 % e saj është përdorur për ‘blerjen/riparimin e një prone’, 43 % për ‘zhvillimin e një biznesi’, 14 % për qëllime ‘konsumi’ dhe 17% për ‘qëllime të tjera’ (ku dominon huamarrja për të mbuluar shpenzime shëndetësore)”, thuhet në njoftimin e BSH-së.

Teksa theksohet se, stoku i huamarrjes për qëllime biznesi, ka shënuar rritjen më të ndjeshme, duke reflektuar rikthimin  gradual të aktivitetit ekonomik në vend pas lehtësimit të masave kufizuese të lidhura me pandeminë.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.