AFGANISTAN – Talebanët letër OKB-së për pjesëmarrjen në Asamblenë e Përgjithshme

KABUL, 22 shtator /ATSH-DPA/- Pas pushtimit të Afganistanit, talebanët duan të flasin në Asamblenë e Përgjithshme të OKB -së dhe të përfaqësojnë vendin në skenën botërore.

Në një letër drejtuar sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, ministri i Jashtëm i talebanëve, Amir Khan Muttaqi kërkoi të drejtën për të folur në debatin e përgjithshëm në OKB, aktualisht në zhvillim.

”Letra u dërgua në selinë e OKB-së në Nju Jork nga Ministria e Jashtme e Emiratit Islamik të Afganistanit”, sipas OKB-së.

Në letër, talebanët argumentojnë se presidenti afgan Ashraf Ghani është rrëzuar dhe se vendet e tjera nuk e njohin më atë si kreun e shtetit.

Letra thotë gjithashtu se grupi dëshiron të zëvendësojë të dërguarin e OKB-së në Afganistan me zëdhënësin e tij, Suhail Shaheen.

Ata pretendonjnë se Përfaqësuesi i Përhershëm aktual për Afganistanin në OKB, Ghulam Isaczai, nuk e përfaqëson më vendin dhe misioni i tij ka përfunduar.

Pas tërheqjes së trupave të NATO-s dhe SHBA-së, talebanët islamikë morën pushtetin në Afganistan muajin e kaluar dhe rivendosën Emiratin Islamik, pas gati 20 vitesh./  /os/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.