2 vite burg për ish-kryeprokurorin, SPAK ngarkon Policinë për ekzekutimin e vendimit

TIRANË, 22 shtator/ATSH/ Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka nxjerrë sot urdhrin për ekzekutimin e vendimit penal të marrë nga Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndaj ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla, duke ngarkuar Policinë e Shtetit për ekzekutimin e tij.

Në një njoftim mbi përfundimin e gjykimit ndaj të pandehurit Adriatik Llalla, SPAK thekson se, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi: “Lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr.40, datë 20.05.2021 ka vendosur: deklarimin fajtor të pandehurit Adriatik Llalla për kryerjen e veprës penale “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publik ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, dhe dënimin e tij me 2 (dy) vjet burgim.

Heqjen e të drejtës për të ushtruar funksione publike për të pandehurin Adriatik Llalla për një periudhë 5 (pesë) vjeçare.

Pasuritë e paluajtshme të sekuestruara ku përfshihen: Pasuria e paluajtshme apartament, me sipërfaqe 67.2 m2, e ndodhur në Durrës. Pasuritë e paluajtshme të llojit tokë arë, 4 (katër) pasuri, me sipërfaqe gjithsej 22.300 m2 të ndodhura në Tiranë. Konfiskohen dhe kalohen në favor të shtetit.

Bazuar në faktin se vendimi i mësipërm i Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar është i formës së prerë, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ditën e sotme, ka nxjerrë urdhrin për ekzekutimin e këtij vendimi penal, duke ngarkuar Policinë e Shtetit për ekzekutimin e tij, përfundon SPAK.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.