2 vite burg dhe konfiskim të pasurive, Apeli lë në fuqi vendimin e GJKKO për ish-kryeprokurorin Lalla

TIRANË 22 shtator /ATSH-I.Vata/ Ish-Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla dënohet me 2 vite burg për fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë.

Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, që përfshin edhe 5 vite heqje të së drejtës për të ushtruar funksione publike si dhe konfiskim të pasurisë.

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, (GJKKO) e Shkallës së Parë, e dënoi Adriatik Llallën me 2 vite burg dhe disa pasuri iu sekuestruan dhe i kaluan shtetit me akuzën e deklarimit dhe fshehjes së pasurisë. 4 sipërfaqe toke, në total 22 mijë metra katrorë dhe 1 apartament në Durrës iu morën ish-kryeprokurorit. Po ashtu Llalla u dënua që për 5 vite të mos kryejë asnjë funksion publik.

Gjykata e Apelit e Tiranës ka lënë sot në fuqi vendimin dhe Llalla përfundimisht duhet të kryejë dënimin me 2 vite burg dhe të mos ushtrojë funksione publike si dhe iu sekuestruan disa pasuri.

Avokati i ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla, Sokol Hazizaj, duke folur për mediet tha se vendimi i Gjykatës së Apelit të Posaçëm për të lënë në fuqi vendimin e dënimit me dy vite burg për ish-kryeprokurorin, do ta çojë deri në Gjykatën e Lartë.

“Jemi me gjykim të padrejtë. Di që Llalla është në spital, kaq di. Unë jam avokati i tij dhe jam këtu, para jush. Gjykata, edhe e Shkallës së Parë, edhe e Apelit, ka bërë copy paste të gjitha veprimet procedurale, asgjë tjetër. Do t’i ndjekim të gjitha hallkat, deri në Gjykatën e Lartë. Nuk e di ku ndodhet Llalla, nuk kam komunikim sa i përket anës shëndetësore të ish-kryeprokurorit, kam komunikim vetëm për anën procedurale”, tha avokati.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.