Xhaçka takon ambasadoren e SHBA-së në OKB: Vlerësim për mbështetjen ndaj afganëve

TIRANË 21 shtator /ATSH-I.Vata/ Gjatë qëndrimit të saj në Nju-Jork, ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, zhvilloi një takim me ambasadoren e SHBA në Kombet e Bashkuara, Linda Thomas – Greenfield.

Ambasadorja Greenfield vlerësoi mbështetjen humanitare që Shqipëria ka ofruar për qytetarët afganë, si dhe siguroi bashkëpunimin me një aleat e partner të vyer si Shqipëria, gjatë mandati i ardhshëm të vendit tonë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

“Një takim i shkëlqyer sot me ambasadoren e SHBA në Kombet e Bashkuara, Linda Greenfield! Bisedë përmbajtësore dhe e frytshme për një sërë çështjesh në të cilat vendet tona po punojnë ngushtë së bashku. Mirëpres thellimin e bashkëpunimit me miqtë dhe partnerët tanë strategjik gjatë mandatit të Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, bëri me dije ministrja Xhaçka pas takimit.

Edhe ambasadorja amerikane në OKB, Linda Thomas-Greenfield u shpreh e kënaqur për takimin me ministren Xhaçka.

“Kënaqësi të mirëprisja ministren e Jashtme shqiptare Olta Xhaçka sërish në Nju-Jork. Biseduam mbi një sërë çështjesh shumëpalëshe, përfshirë Afganistanin, si dhe mandatin e ardhshëm të Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ku mezi presim të punojmë me partneren dhe aleaten tonë të ngushtë”, u shpreh ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në OKB, Linda Thomas-Greenfield.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.