Takimet e nivelit të lartë në Nju-Jork, Xhaçka: Krenare për përkushtimin e Shqipërisë ndaj paqes dhe multilateralizmit

TIRANË, 21 shtator /ATSH/ Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, mori pjesë në hapjen e takimeve të nivelit të lartë të sesionit të 76-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, në Nju-Jork, në të cilin këtë të martë mori pjesë presidenti i SHBA, Joe Biden.

Xhaçka u shpreh krenare për përkushtimin që Shqipëria ka treguar ndaj multilateralizmit dhe zgjidhjes paqësore të konflikteve.

“Në Ditën Ndërkombëtare të Paqes, nisën në Nju-Jork takimet e nivelit të lartë të Sesionit të 76-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Krenare për përkushtimin e Shqipërisë ndaj multilateralizmit dhe zgjidhjes paqësore të konflikteve. Mirëpresim bashkëpunimin me të gjithë vendet partnere për të çuar më tej kauzën e paqes në botë”, tha Xhaçka.

Shqipëria tanimë si anëtare jo e përhershme e KS ka si prioritet të saj kontribuimin në ruajtjen e paqes, duke adresuar sfidat globale nëpërmjet zgjidhjes paqësore të konflikteve dhe ndërmjetësimit.

/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.