Sezoni i ri televiziv, AMA risjell në vëmendje detyrimet e ligjit për mediet audiovizive

TIRANË 21 shtator /ATSH-I.Vata/ Autoriteti i Mediave Audiovizive në nisje të sezonit të ri televiziv, risjell në vëmendje të OSHMA-ve detyrimet që rrjedhin nga ligji për mediet audiovizive.

AMA kujton se do të vijojë monitorimin e transmetimeve, për zbatimin e kërkesave të këtij kuadri ligjor, apo angazhimeve që vetë OSHMA-të kanë marrë përsipër në procesin e licencimit.

“Parimet mbi të cilat është ngritur ligji 97/2013 kanë të bëjnë me veprimtari audiovizive të lirë, që respekton paanshmërisht të drejtën për informim, bindjet politike e besimet fetare, personalitetin, dinjitetin dhe të drejtat e liritë e tjera themelore të njeriut. Në mënyrë të veçantë kjo veprimtari respekton të drejtat, interesat dhe kërkesat morale e ligjore për mbrojtjen e të miturve”, thuhet në njoftim.

Në vijim, AMA kujton se në angazhimin për realizimin e detyrave funksionale si institucion rregullator, ka pasur dhe ka si prioritet mbrojtjen e fëmijëve nga përmbajtjet e dëmshme audiovizive.

“Emisionet me/për fëmijët krijojnë ndjeshmëri tek audienca, te fëmijët, prindërit, të afërmit apo kujdestarët e tyre. Trajtimi i fëmijëve si të rritur, apo si gjenerues të emocioneve të panevojshme në emisione, janë dukuri që duhet të shmangen, qoftë në transmetimet e drejtpërdrejta apo ato të regjistruara. AMA ka mirëpritur dhe mirëpret, që edhe në këtë sezon të ri të shmanget përdorimi i fëmijëve në ekran, apo transmetimi/ritransmetimi i përmbajtjeve të papërshtatshme për moshën e tyre, në orare që ata mendohet se janë para ekranit”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu AMA vlerëson rolin e medieve në hapësirat krijuar trajtimi i pandemisë Covid-19.

“Kohët e fundit në ofertën programore të televizioneve një hapësirë të konsiderueshme ka marrë edhe trajtimi i pandemisë Covid-19. AMA ka vlerësuar dhe vlerëson maksimalisht rolin dhe kontributin e redaksive audiovizive në mbulimin e ngjarjeve të aktualitetit mbi pandeminë dhe trajtimin e situatës. Në këtë sezon të ri programor, AMA beson se OSHMA-të do të kenë parasysh kërkesat etike dhe profesionale për t’i njoftuar dhe paraqitur lajmet e transmetuara në një mënyrë të vërtetë, të paanshme dhe objektive”, thuhet në komunikimin e AMA-s me mediet.

“AMA ju fton në mbajtjen parasysh të interesave të publikut, të balancës në paraqitjen e opinioneve, krijimin e hapësirave për ekspertët e mirëfilltë të fushës. AMA si institucion rregullator ju fton po ashtu, për shmangien e fenomeneve të tilla si: konfuzioni, deformimi i rezultateve shkencore të konfirmuara zgjerimin/balancimin e paraqitjes së ideve dhe opinioneve, duke mos krijuar hapësira për zhvillimin e tryezave të debatit vetëm me individë jo ekspertë të fushës”, njofton AMA.

Autoriteti i Mediave Audiovizive gjithashtu pret nga OSHMA-të respektimin e rregullave dhe normave të gjuhës shqipe, shmangien e përdorimit të gjuhës së papërshtatshme apo denigruese në transmetimet audiovizive.

Për fillimin e këtij sezoni të ri programor audioviziv, AMA ka pritshmëri maksimale se OSHMA-të do të forcojnë edhe më shumë lirinë e shprehjes, pluralizmin dhe pavarësinë editoriale në favor të shumëllojshmërisë dhe cilësisë së produkteve mediatike për publikun.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.