Rruga mahnitëse e Sarisalltikut në Krujë, ka pritur dhjetra garues të huaj me makinat e shpejta


TIRANË, 21 shtator /ATSH/ Kryeministri Edi Rama publikoi mbrëmjen e sotme pamje nga gara ndërkombëtare e motorsportit Hill Climb “Trofeu Skënderbej 2021”, eventi që u zhvillua pak ditë më parë në Shqipëri, ku infrastruktura rrugore e ndërtuar me standardet më të mira, mundësoi garën e ngjitjen me makina me shpejtësi, në malin e Krujës në Sarisalltik.

Rama publikoi videon me pamjet e mrekullueshme, teksa e krahasoi këtë infrastrukturë rrugore me rrugët e Francës apo të Spanjës.

“Nuk është një rrugë e Francës a Spanjës, rruga e Sarisalltikut në Krujë, që me pamjen mahnitëse të gjarpërusheve dhe me sigurinë optimale, ka pritur dhjetra garues të huaj me makinat e shpejta”, tha Rama.

Rruga në majën e Sarisalltikut në Krujë, përshkon një reliev shumë të vështirë gjeografik, në këtë zonë. Rruga është një investim i radhës i realizuar nga qeveria shqiptare sipas të gjitha standardeve dhe parametrave të sigurisë rrugore. /a.a/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.