Reciprociteti për targat, Basha: Kjo është e drejtë e patjetërsueshme e Kosovës

TIRANË, 21 shtator /ATSH / Kyetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha reagoi mbrëmjen e së martës pas situatës së krijuar mes Kosovës e Serbisë me vendosjen e reciprocitetit për çështjen e targave nga Prishtina zyrtare.

“Gjuha kërcënuese e Beogradit i përket një të shkuare që askush nuk e kthen dot më! Kosova është shtet i pavarur dhe marrëdhëniet mes dy shtetesh sovrane funksionojnë mbi baza reciprociteti”, shprehet Basha.

Basha thekson se, “kjo është e drejtë e patjetërsueshme e Kosovës”.

“Sa më shpejt ta kuptojë këtë Beogradi aq më mirë do të jetë për Serbinë dhe për marrëdhëniet mes vendeve të rajonit. Qëndrimet e Beogradit ndaj vendimit legjitim dhe që nuk cenon asnjë marrëveshje të nënshkruar në Bruksel nga qeveria e Republikës së Kosovës, zbulojnë qëllimet e vërteta të Vuçiç dhe fshehjen pas falsitetit të iniciativës së Novi Sadit”, deklaron Basha.

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.