Rama në SHBA, moment i veçantë i mikpritjes speciale në West Point

TIRANË, 21 shtator/ATSH/ Kryeministri Edi Rama publikoi sot një video nga momenti i veçantë i pritjes në Akademinë Ushtarake “West Point” në Nju-Jork.
Rama ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të marrë pjesë në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
“Mirëmëngjes dhe me një moment të veçantë të mikpritjes speciale në West Point, ju uroj një ditë të mbarë”, – tha Rama.
I shoqëruar nga ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi dhe ambasadorja e SHBA, Yuri Kim, kryeministri Rama u dha lajmin e mirë qindra studentëve të Akademisë Ushtarake se të gjithë do të kenë mundësi për një leje kalimi pa pagesë në mënyrë që ta përdorin gjatë fundjavës.
“U garantoj kadetëve një leje kalimi pa pagesë për t’u përdorur në ditën e Kolombit në fundjavë”,- tha Rama.
Kryeministri Rama vizitoi dje Akademinë Ushtarake “West Point”, në kuadër të dialogut të nisur me qeverinë amerikane, për binjakëzimin dhe njehsimin e programeve me Akademinë e Forcave të Armatosura Shqiptare.
/j.p/r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.