Program trajnimi dhe praktikë pune në biznese, Muzhaqi takim me të rinjtë

TIRANË, 21 shtator/ATSH/ Rrjeti i Profesionistëve të Rinj, me mbështetjen e Antea Cement, organizuan një program trajnimi dhe praktike pune në biznese dhe organizata jofitimprurëse në bazë të dëshirave për profesionin e të ardhmes që kishin të rinjtë.

Qëllimi i këtij programi pilot ishte decentralizimi i mundësive përtej Tiranës, ekspozimi i të rinjve nga zonat rurale me aftësimin profesional e personal, si dhe rritja e vetëdijësimit mbi rolin e tyre si qytetarë aktivë.

Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, e pranishme në këtë takim u shpreh krenare dhe mirënjohëse për biznese që duan të kontribuojnë në komunitetet ku ata ushtrojnë veprimtarinë.

Muzhaqi shtoi se, shembulli i Anteas duhet ndjekur edhe nga të tjerë.

Më tej ministrja theksoi se ky takim me të rinjtë, ia ka arritur qëllimit më së miri.

“Ndër të tjera, të rinjtë janë njohur dhe me institucionet e lidhura me rininë, si Agjencia Kombëtare e Rinisë, Zyra Rajonale për Bashkëpunim Rinor, krahas takimit që unë pata me ta”, tha Muzhaqi.

“Shpresoj që gjatë bisedës t’u kem përcjellë të rinjve e të rejave se si unë në rolin e Ministres së Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, por gjithashtu edhe AKR, jemi aleatë të tyre në çdo hap. Faleminderit Rrjetit të Profesionistëve të Rinj, Antea Cement dhe mbi të gjitha të rinjve super aktivë të përfshirë në këtë program”, u shpreh ministrja Muzhaqi.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.