Peshiç: Kosova është e pavarur dhe serbët nuk duhet të krijojnë probleme

BEOGRAD, 21 shtator /ATSH/ – Intelektualja e njohur serbe, Vesna Peshiç deklaroi në rrjetet sociale se serbët nuk kanë pse të krijojnë probleme me targat, sipas alo.rs.

“Nuk e di pse serbët po krijojnë probleme për të vënë targat e Kosovës, kur shqiptarët përmes Serbisë duhej të vendosin targa serbe. Kosova është e pavarur, pavarësisht nëse është apo jo anëtare e organizatave ndërkombëtare”, shkroi Peshiç në Twitter.

Situata e përgjithshme gjatë natës në kufirin Jarinje dhe Bërnjak ka kaluar qetë dhe pa ndonjë incident.

Numër i vogël i protestuesve serbë ka qëndruar gjatë natës ne këto zona, ndërsa kamionët dhe automjetet e ndryshme të tyre po vazhdojnë të mbajnë të bllokuara rrugët për ne pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak në kufirin Kosovë-Serbi.

Ata po kundërshtojnë kështu vendosjen e reciprocitetit nga Kosova për targat e veturave të Serbisë.

Qytetarët të cilët vijnë nga Serbia me autobusë në territorin e Kosovës përmes pikave kufitare Jarinje dhe Bërnjak, mund të hynë vetëm këmbë dhe kështu të vazhdojnë rrugën rreth një kilometër për shkak të barrikadave, më pastaj i presin autobusët tjerë të cilët i transportojnë nëpër destinacionet e tyre në veri.

Pjesëtarë të policisë së Kosovës janë duke qëndruar pothuajse gjithandej zonës së kufirit të Jarinjes dhe Bërnjakut dhe po mbajnë situatën nën kontroll.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.