Nis në Durrës projekti “Në Labirint” kundër dhunës ndaj fëmijëve

TIRANË, 21 shtator/ATSH/ Në kuadër të fushatës globale të World Vision: “Duhet një botë e tërë për t’i dhënë fund dhunës ndaj fëmijëve”, World Vision në Shqipëri lançoi projektin “Në Labirint” në qytetin e Durrësit.

Në ceremoninë e zhvilluar me këtë rast ishin të pranishme kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako me zv/ministren e arsimit Nina Guga, drejtoreshën ekzekutive të World Vision, Eljona Elmazi, kryetaren e Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, Alma Tandili.

Ky projekt synon të rrisë ndërgjegjësimin e qytetarëve në një mënyrë ndërvepruese për ndikimin e dhunës fizike dhe psikologjike tek fëmijët apo adoleshentët. Pushteti vendor nëpërmjet strukturave të tij mbart një përgjegjësi e detyrim madhor, i cili buron nga përkushtimi i të gjithë shoqërisë për t’u garantuar fëmijëve një fëmijëri larg fenomeneve denigruese, duke ofruar parandalim, mbrojtje dhe trajtim të rasteve.

Kryebashkiakja Sako u shpreh se, “është detyrë e të gjithëve ne, të parandalojmë dhe dënojmë pa asnjë hezitim çdo akt dhune që cenon mirërritjen dhe integritetin e fëmijëve”.

“Bashkia e Durrësit, një nga bashkitë e para në ngritjen e strukturave për mbrojtjen e fëmijëve, ka ndërmarrë vazhdimisht hapa të rëndësishëm në fushën e mbrojtjes dhe mirëqenies sociale. Në territorin e bashkisë sonë aktualisht funksionojnë 5 qendra rezidenciale dhe komunitare që ofrojnë shërbime për fëmijët dhe komunitetet në nevojë, fëmijët jetimë dhe fëmijët me aftësi të kufizuar”, theksoi Sako.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.