Muzetë e Beratit, të preferuarit e turistëve të huaj

TIRANË, 21 shtator/ATSH/ Muzetë e Beratit vazhdojnë të zgjojnë interesin e vizitorëve e sidomos atyre të huaj, me vlerat e koleksioneve të tyre.
Qendra Kombëtare e Muzeumeve bën të ditur se edhe gjatë këtyre ditëve të muajit shtator, muzetë dhe objektet e trashëgimisë së pasur kulturore të qytetit të Beratit mbeten të parapëlqyerit e turistëve të huaj dhe vendas.
“Veçanërisht për Muzeun e Ikonografisë Onufri vizitorët shfaqin interes të madh për t’u njohur nga afër me koleksionin e tij dhe katedralen ku ai është vendosur. Nga data 1 deri 15 shtator numri i vizitorëve në Muzeun e Ikonografisë Onufri dhe Muzeun Etnografik arriti në 2255 nga të cilët 1943 (86 %) ishin të huaj: francezë, italianë, polakë, spanjollë, ukrainas, bjellorusë, hungarezë etj.”, thekson Qendra Kombëtare e Muzeumeve.
Në muajin gusht numri i tyre arriti në 4288 vizitorë, 357 % krahasuar me muajin maj të këtij sezoni, apo 151 % e krahasuar me muajin paraardhës.
Ndërsa në periudhën maj – qershor Muzeu i Ikonografisë “Onufri” dhe Muzeu Etnografik u vizituan nga 10570 vizitorë vendas dhe të huaj.

Muzeu Etnografik është krijuar në vitin 1979 në një banesë me arkitekturë karakteristike beratase. Periudha e ndërtimit i përket shekullit XVIII. Ky muze ka një fond të pasur etnografik me rreth 1200 objekte.

Muzeu Ikonografik “Onufri”, që mban emrin e njërit prej kryemjeshtrave të pikturës shqiptare të shekullit XVI, është ndërtuar mbi rrënojat e një kishe të rindërtuar në vitin 1797 në lagjen “Kala”, e cila ka qenë katedralja e qytetit, që është monumenti më përfaqësues i arkitekturës pasbizantine në qytetin e Beratit.

Koleksioni i muzeut përbëhet nga 173 objekte të përzgjedhura nga një fond prej më se 1500 objektesh që i takojnë fondeve të kishave dhe manastireve të Shqipërisë.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.