Largimi i Berishës nga grupi i PD-së, Rushaj: Vendimi i Bashës politik, shmangu izolimin nga SHBA

TIRANË 21 shtator /ATSH-I.Vata/ Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Alfred Rushaj ka reaguar në lidhje me vendimin e kryetarit të PD-së, Lulzim Basha për përjashtimin nga grupi të ish-liderit të PD-së Sali Berisha.

I ftuar në një intervistë televizive Rushaj, deklaroi se vendim i Bashës ishte i vështirë, por ai mori vendim politik.

“Unë jam aty dhe nuk dua të fshihem dhe as të justifikohem. Vendimi është shumë i vështirë. Unë besoj që Berisha asnjëherë nuk i ka marr njeriu lekë dhe nuk i ka kërkuar njeriu lekë. Si unë, ka shumë demokratë ashtu dhe vetë zoti Basha ka thënë që është e pamerituar. Zoti Basha ka marrë një vendim politik. Është larguar nga emocioni që unë, anëtarësia, apo ai vetë ka. I është dashur të zgjedhë diçka që mund të kishte pasoja për PD, më e pakta izolimi i partisë nga SHBA”, tha ai.

Sipas Rushajt, Basha i ka dalë përballë vendimit për të mos përçarë PD.

“Basha i ka dalë përballë këtij vendimi dhe e ka bërë këtë, sepse vendimin e ka marrë në interesin më të mirë të demokratëve, nuk ka dashur t’i vendosë përballë njëri-tjetrit demokratët. Tani që e ka marrë këtë vendim thonë pse e ka marrë. Nëse do e merrte me votim do thonin pse u fsheh pas votës. Basha mendon që është në të drejtën e tij sipas kompetencave që kryetari ka në statut për ta marrë këtë vendim. Basha e ndjen veten që ka ardhur nga një votëbesim ku mbi 85 % e demokratëve e votuan dhe është shprehur se demokratët më kanë votuar për të marrë vendime të forta. Për të evituar përçarjen, po e marr i vetëm këtë votim”, u shpreh Rushaj.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.