Gërvalla për reciprocitetin: Tensioni duhet të shihet si veprim i njëanshëm i Serbisë

PRISHTINË, 21 shtator/ATSH/ Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë (MPJD), Donika Gërvalla është takuar me homologun e saj slloven, Anze Logar. Në takim me të, Gërvalla ka folur edhe për reciprocitetin për targat.

Gërvalla ka theksuar se vendimi i Qeverisë së Kosovës është në përputhje me marrëveshjen e nënshkruar nga të dyja palët në Bruksel për çka ka thënë se tensioni i shkaktuar së fundmi në Jarinjë është veprim i njëanshëm i Serbisë.

Gërvalla këto deklarime i ka bërë në New York, ku po qëndron në margjina të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

“Së bashku diskutuan për raportet dypalëshe, me fokus bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar, dhe folën për mundësinë e thellimit të mëtutjeshëm të raporteve mes dy vendeve. Po ashtu në takim u diskutua për vendosjen e reciprocitetit të targave me Serbinë. Gërvalla sqaroi homologun e saj se vendimi i Qeverisë së Kosovës është në përputhje me marrëveshjen e nënshkruar nga të dyja palët në Bruksel, dhe tensioni i shkaktuar duhet të shihet si veprim i njëanshëm i Serbisë”, thuhet në komunikatën për medie nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD)

Nga ana e tij kryediplomati slloven theksoi qëndrimin mbështetës të Sllovenisë karshi integrimit evropian të Kosovës. /KosovaPress/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.