Financat planifikojnë emetimin e obligacionit 15-vjeçar në nëntor

TIRANË, 21 shtator/ATSH/ Ministria e Financave dhe Ekonomisë planifikon emetimin e një obligacioni 15-vjeçar në muajin nëntor.

Emetimi për herë të parë i këtij obligacioni do të shërbejë si test për tregun shqiptar dhe synohet sigurimi i një vlere prej 1 miliard lekësh.

Afati më i gjatë i maturimit i aplikuar deri sot është obligacioni 10-vjeçar.

Sipas kalendarit të publikuar nga MFE data e emetimit të obligacionit 15-vjeçar është 8 nëntori, ndërsa data e maturimit është 10 nëntor 2036.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë emetoi në tregun e brendshëm tituj shtetërorë në vlerën 349.690 milionë lekë, nga të cilat 223.854 milionë lekë nëpërmjet titujve afatshkurtër (bono thesari) dhe 125.836 milionë lekë nëpërmjet titujve afatgjatë (obligacione).

Titujt shtetërorë apo letrat me vlerë të qeverisë, janë instrumente borxhi të emetuara dhe garantuara nga qeveria e Republikës së Shqipërisë. Titujt shtetërorë emetohen në formën e bonove të thesarit dhe obligacioneve, në monedhë kombëtare dhe të huaj.

Përgjatë vitit 2020, bonot e thesarit dhe obligacionet të emetuara në treg primar në lekë dhe në valutë financuan rreth 44 % të deficitit buxhetor.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.