Dita Ndërkombëtare e Paqes, Nikolla: Kontributi për paqen, e bën Shqipërinë një vend të madh

TIRANË, 21 shtator/ATSH/ Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, ka përshëndetur sot me një mesazh Ditën Ndërkombëtare të Paqes.

“Më 1981 Asambleja e Përgjithshme e OKB-së vendosi që 21 shtatori të kremtohet si Dita Ndërkombëtare e Paqes. Sot, dyzetë vjet më pas, Shqipëria është bërë një kontribuuese e spikatur e paqes dhe vazhdon të kontribuojë në rritjen e bashkëpunimit, sigurisë, tolerancës e mirëkuptimit në rajon e më gjerë”, shprehet Nikolla.

“Si një vend anëtar i NATO-s, Shqipëria ka dërguar djemtë dhe vajzat e saj në misione paqeruajtëse në mjaft vatra të nxehta luftrash e konfliktesh anembanë globit. Vendi ynë përmbushi me mjaft sukses mandatin e Presidencës së OSBE-së gjatë vitit të vështirë 2020, kur tensioneve e problemeve të krijuara nga luftërat e konfliktet, iu shtua edhe pandemia e Covid-19”, thekson Nikolla.

“Gjatë dy viteve të ardhshme, 2022-2023, Shqipëria do të kontribuojë për paqen e sigurinë në botë, jo vetëm nëpërmjet shembullit, por edhe me vendimmarrjet e saj si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, shton Nikolla.

“Paqja në botë nis nga paqja në çdo vend. Ajo arrihet më lehtë, kur të gjithë kombet përparojnë e zhvillohen, rrisin mirëqenien dhe ofrojnë mundësi e të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët, pavarësisht bindjeve politike, përkatësisë etnike e fetare, moshës, gjinisë, origjinës apo gjendjes ekonomike”, nënvizon Nikolla.

“Shqipëria është një vend i vogël, por partneriteti strategjik me aleatët tanë të mëdhenj, ShBA dhe BE, si edhe kontributi për sigurinë e paqen, për buzëqeshjen e lumturinë e fëmijëve e qytetarëve të të gjithë botës, na bëjnë një vend të madh”, shkruan në mesazhin e saj me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Paqes Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.