Dita e Pavarësisë së Maltës, Nikolla: Mirënjohje për mbështetjen e rrugëtimit tonë evropian

TIRANË, 21 shtator /ATSH/ Me rastin e 21 Shtatorit, Ditës së Pavarësisë së Maltës, Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla i ka dërguar një letër urimi Anġlu Farrugia, kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve të Maltës.

“Me rastin e Ditës së Pavarësisë së Maltës, në emër të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe emrin tim personal më lejoni t’Ju shpreh urimet më të ngrohta. Shpallja e pavarësisë më 21 Shtator 1964 është një ngjarje e shënuar për popullin e Republikës së Maltës, sepse hapi rrugën e zhvillimit, prosperitetit dhe mirëqenies për popullin maltez”, shprehet Nikolla.

“Republika e Maltës është sot një vend mik i Shqipërisë, me një demokraci të përparuar, anëtare e Bashkimit Evropian dhe kontribuese e paqes, sigurisë dhe stabilitetit”, tha Nikolla.

“Me këtë rast, shpreh mirënjohjen e thellë për Dhomën e Përfaqësuesve të Maltës dhe Ju personalisht, për mbështetjen e Shqipërisë në rrugëtimin e saj drejt Bashkimit Europian dhe bindjen se kjo mbështetje do të vijojë edhe në të ardhmen, për mbajtjen sa më shpejt të Tryezës së Parë Ndërqeveritare”, shprehet në letrën e urimit Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.