Cilësia e arsimit të lartë, Kushi pret delegacionin nga Universiteti i Tuscia-s në Itali

TIRANË, 21 shtator/ATSH/ Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, priti sot në prof. dr. Stefano Ubertini dhe delegacionin nga Universiteti i Tuscia-s në Itali.

Ky takim u zhvillua në kuadër të objektivit të ndërkombëtarizimit të universiteteve shqiptare.

“Me prof. dr. Ubertini dhe delegacionin diskutuam gjerësisht për nisjen e bashkëpunimit me qëllim rritjen e cilësisë në arsimin e lartë”, theksoi Kushi.

“Gjatë takimit u fokusuam në hedhjen e hapave konkretë për programe të përbashkëta studimi, projekte të kërkimit shkencor dhe shkëmbime të ndryshme mes pedagogëve dhe studentëve”, tha Kushi.

Rritja e cilësisë së arsimit të lartë dhe nxitja e mbështetja e hapjes së filialeve të universiteteve më të mira këtu në Shqipëri, do të jenë në fokus të punës së mëtejshme.

Ngritja e Agjencisë për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ASCAL) me profesorë të nderuar shqiptarë dhe të huaj që punojnë në universitetet më të mira evropiane e përtej do të luajë rol për rritjen e cilësisë dhe akreditimin e universiteteve, por edhe për të krijuar ura bashkëpunimi me universitetet që ata përfaqësojnë.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.