BRUKSEL – BE mbështet Francën në mosmarrëveshjen me Australinë për nëndetëset

BRUKSEL, 21 shtator /ATSH-DPA/ – Bashkimi Evropian ka premtuar mbështetje për Francën në mosmarrëveshjen në lidhje me shitjen e nëndetëseve franceze në Australi.

“Ministrat e Jashtëm të BE-së e diskutuan çështjen në një takim në periferi të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, në Nju-Jork dhe e konsideruan situatën shumë zhgënjyese”, tha i dërguari i BE-së për Çështjet e Jashtme, Josep Borrell.

“Ministrat shprehën solidaritetin e tyre të qartë me Francën”, shtoi ai.

Borrell theksoi se çështja ishte shqetësuese jo vetëm për Francën, por për të gjithë BE-në.

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, gjithashtu, mbështeti Parisin.

Javën e kaluar, Australia ra dakord për ndërtimin e nëndetëseve me energji bërthamore, si pjesë e një pakti trepalësh me SHBA-në dhe Britaninë e Madhe, duke anuluar një kontratë prej 56 miliardë eurosh (66 miliardë dollarë) të vitit 2016 me Parisin./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.