Aktivitet jashtë orarit, gjobitet me 3 milionë lekë pronari i subjektit në Durrës

TIRANË 21 shtator /ATSH-I.Vata/ Policia e Durrësit vijon kontrollet për monitorimin e subjekteve që vijojnë aktivitetin pas orarit të përcaktuar për mbyllje.

Gjatë kontrollit nga Policia e Durrësit, u konstatua duke ushtruar aktivitetin me muzikë, në mënyrë të përsëritur, pas orarit të përcaktuar për mbyllje dhe u procedua penalisht dhe u ndëshkua në masën administrative 3.000.000 lekë, pronari i subjektit, si dhe sekuestrohen në cilësinë e provës materiale pajisjet muzikore.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, në vijim të kontrolleve për zbatimin e planit të masave për garantimin e rendit dhe qetësisë publike dhe monitorimin e lokaleve që vijojnë organizimet me muzikë pas orarit të përcaktuar për mbyllje, në kundërshtim me masat anticovid të vendosura nga organet kompetente, kanë proceduar penalisht për veprat penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Moszbatimi i masave të autoritete shtetërore gjatë gjendjes së pandemisë”, shtetasin E. T., 37 vjeç, banues në lagjen nr. 14, Durrës, pasi është konstatuar duke vijuar në mënyrë të përsëritur, aktivitetin me muzikë, pas orarit të lejuar”, thuhet në njoftim.

Drejtoria Vendore e Policisë Durrës u kërkon të gjithë administratorëve të lokaleve që të respektojnë masat antikovid dhe orarin e përcaktuar për ushtrimin e aktivitetit.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.