Vokshi: Shëndetësia falas, mashtrimi dhe dështimi më i madh i Edi Ramës

TIRANË, 20 shtator/ATSH/ Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi deklaroi sot të dhënat e fundit nga Eurostat tregojnë përkeqësim të mundësisë që kanë shqiptarët për të kryer analizat e duhura shëndetësore.

“Janë rreth 380 mijë qytetarë që nuk përballojnë dot çmimet e larta në privat, pasi qeverisja e Edi Ramës dështoi ta sigurojë këtë shërbim jetik në sistemin publik”, tha Vokshi.

Sipas saj, 13.5 % e shqiptarëve, ose rreth 380 mijë nuk kanë para e mundësi që të plotësojnë nevojat për ekzaminime shëndetësore, pasi janë shumë të shtrenjta.

Numri, shtoi Vokshi, është rritur me më shumë se 30 mijë në vetëm dy vjet. Ndërsa më kritike paraqitet situata në very të vendit ku sipas të dhënave të Eurostat, 23.1 % e popullatës nuk përballojnë shpenzimet për shëndet.

“Shqipëria, ka buxhetin më të ulët për shëndetësinë në Evropë, 2.8 % në 2018 (sipas një raporti të OECD&EC) ndërkohë që Maqedonia e Veriut e ka 4.1 %, Bosnjë-Hercegovina 6.5 %, Serbia 5.4 %, Greqia 5.2 % etj.”, deklaroi Vokshi.

Po ashtu, ajo shtoi se shpenzimet për frymë për shëndetësinë janë më të ultat në rajon, vetëm 116 euro.

Vokshi tha se shpenzimet private të shqiptarëve për shëndetin janë më të lartat në rajon. “93 % e shqiptarëve paguajnë nga xhepi (ryshfet, barna e kura te privati). Pagesa nga xhepi është më e larta në rajon me 58 %, shumë më e lartë se në çdo vend të rajonit”, deklaroi Vokshi.

“Shqipëria është vendi me më pak mjekë në Evropë: 1,2 mjekë për 1000 banorë e shkon çdo ditë në ulje për shkak të largimit të mjekëve drejt vendeve të tjera kryesisht në Gjermani. Ndërkohë që Serbia e ka këtë raport 2.4 mjekë; Maqedonia e Veriut 2.8 mjekë, Greqia 6.8 mjekë. Shqipëria është vendi me nivelin më të lartë të vdekshmërisë gjatë periudhës së pandemisë. Komisioni Evropian raporton që ky nivel në Shqipëri është më i lartë se dyfishi i mesatares në vendet e BE”, tha deputetja e PD-së.

/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.