Vijon shembja e ndërtimeve pa leje në Radhimë, Çuçi: Do çlirojmë çdo hapësirë të zaptuar

TIRANË, 20 shtator/ATSH/ Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) vijon shembjen e ndërtimeve pa leje.

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi publikoi sot një video nga shembja e ndërtimeve pa leje në Radhimë.

“Do të çlirojmë çdo hapësirë të zaptuar kudo në territorin e vendit”, theksoi ministri Çuçi.

Ministri Çuçi ka thënë më herët se operacioni “Bregdeti ynë” nuk është vetëm një aksion, por punë sistematike që do të vazhdojë në gjithë bregdetin dhe zonat e tjera të vendit për të liruar hapësirat e zaptuara nga ndërtimet pa leje.

Në fazën e parë të operacionit “Bregdeti ynë” që nisi në muajin qershor, u shembën mbi 130 ndërtime pa leje, u vendosën rreth 132 milionë lekë gjoba për 86 subjekte, si dhe u arrestuan e u ndoqën penalisht dhjetëra persona.

Tashmë operacioni është rikthyer në fazën e dytë me fillimin e muajit shtator.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.