“Sofat”, festivali që gjallëroi jetën rurale të Libohovës

TIRANË, 20 shtator/ATSH/ “Sofat” festivali kushtuar pasurisë kulturore të jetës rurale mblodhi vizitorë të shumtë gjatë fundjavës që lamë pas, në fshatin Libohovë të Gjirokastrës.

Ky festival i kthyer tashmë në traditë solli përgjatë dy ditëve vlerat e larmishme të zonës së Asim Zenelit, Libohovës e në përgjithësi qarkut të Gjirokastrës.

Banorët e zonës, por edhe vizitorë të shumtë patën mundësi të vizitojnë baxho e ferma kuajsh, të gatuajnë me njerëzit e zonës dhe mbi të gjitha shijuan tingujt e muzikës moderne dhe popullore.

Po ashtu, ata u angazhuan me aktivitetet e fshatit si mbledhja e frutave, zierja e rakisë dhe nxjerrja e verës, etj. Kjo sepse “Sofat” është një festival kushtuar stilit të jetesës, shijeve dhe identitetit të fshatrave të jugut të Shqipërisë.

Të apasionuarit pas turizmit kulturor zhvilluan ture kulturore në Labovën e Kryqit, Teqenë e Melanit, kalanë e Libohovës. etj. Ndërsa në oborrin e shtëpisë muze u zhvillua një takim në kujtim të Moikom Zeqos, shkrimtar, historian, kërkues dhe intelektual me origjinë nga Libohova.

Ky festival u vlerësua edhe nga ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, e cila thekson se “Shqipëria është një sënduk me thesare të pazbuluara”.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.