Reformimi i Policisë, Zingraf i dorëzon Çuçit raportin e Policisë Federale, MB: Do të fillojmë punën menjëherë

TIRANË, 20 shtator /ATSH/ Gjermania do të ndihmojë Shqipërinë në riorganizimin e Policisë Kriminale dhe reformimin që do të bëhet në tërësi në Policinë e Shtetit.

Kështu bëri të ditur ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi i cili priti në një takim ambasadorin e Gjermanisë në vendin tonë Peter Zingraf, i cili i dorëzoi raportin e Policisë Federale.

“Sot pata kënaqësinë që takimin e parë pas betimit si Ministër i Brendshëm në kabinetin e ri qeveritar ta kisha me ambasadorin e Gjermanisë në Tiranë, Peter Zingraf. Më dorëzoi zyrtarisht raportin e Qeverisë Federale për riorganizimin e Policisë Kriminale dhe reformimi që do të bëjmë në tërësi në Policinë e Shtetit. Sikundër e bëra me dije në Kuvend kur prezantova Programin për Sigurinë, do të fillojmë menjëherë punën me partnerët gjermanë për ta çuar përpara edhe këtë prioritet. Raporti që më dorëzoi ambasadori është një udhërrëfyes me vlerë tejet të rëndësishme”, shprehet Çuçi.

Asistencën e Policisë Federale ministri Çuçi e përmendi edhe në Kuvend teksa po mbahej seanca për votimin e qeverisë së re.

Ai evidentoi gjithashtu 4 elementë që sipas tij do të jenë fokusi i këtij mandati të tretë në Programin për Sigurinë: Mbrojtja e territorit, forcimi i rendit dhe i sigurisë, ofrimi i shërbimeve sa më cilësore dhe thellimi i luftës kundër çdo forme të krimit të organizuar dhe fenomeneve të jashtëligjshme. Për kriminalitetin tha Çuçi, objektivi është që të ulet nën mesataren e vende të BE-së. Ndërkohë që në çdo kryqëzim rruge do të vendosen kamera sigurie.

Gjithashtu Ambasada gjermane në Tiranë theksoi se, fokusi i këtij takimi ishte çuarja përpara e axhendës se reformave dhe integrimi në BE.

“Ambasadori Peter Zingraf zhvilloi sot takimin e tij të parë të punës me një nga anëtarët e qeverisë së re, me ministrin e Brendshëm Bledi Çuçi. Objekt i bisedës ishte ndër të tjera një vlerësim i bashkëpunimit bilateral policor në luftën kundër krimit të organizuar si dhe një shkëmbim rreth refugjatëve afganë që Shqipëria ka strehuar”, theksohet në njoftimin e Ambasadës.

“Unë përgëzoj qeverinë e re të drejtuar nga Kryeministri Rama dhe i uroj asaj gjithë të mirat në punën e mëtejshme për reformat. Unë përshëndes kthimin e opozitës në parlament dhe falenderoj Presidentin e Republikës dhe të gjitha institucionet shtetërore të përfshira për tranzicionin e shpejtë”, shprehet Zingraf.

“Ambasadori theksoi në bisedë me ministrin Çuçi se nuk ka kohë për të humbur, se axhenda e reformave duhet çuar përpara me vendosmëri dhe se integrimi në BE duhet të udhëheqë dukshëm si një yll polar”, bën të ditur Ambasada.

“Për shumicën e cilësuar në parlament që nevojitet në fusha të rëndësishme si p.sh. reforma zgjedhore dhe vijimi i reformës në drejtësi do të jetë i nevojshëm një bashkëpunim konstruktiv i shumicës dhe opozitës”, tha Zingraf.

“Vizita e Kancelares gjermane në Tiranë bëri dhe njëherë të qartë se Gjermania vijon të mbështesë dhe shoqërojë me vendosmëri rrugën e Shqipërisë dhe rajonit drejt BE-së”, u shpreh ambasadori.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.