Rama për “Liberation”: Nëse do të na shihnin etërit themelues të Evropës, do të turpëroheshin me ne

TIRANË, 21 shtator /ATSH/ – Kryeministri shqiptar, Edi Rama, i cili ka shprehur keqardhjen e tij për pasivitetin e shteteve të tjera të BE-së, kujton se vendi i tij ka qenë prej kohësh një strehë, veçanërisht gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Rama i rikthehet vendimit të Shqipërisë për të pranuar refugjatët afganë dhe ndjen keqardhje për sjelljen e partnerëve të tij evropianë, gjatë një interviste të përmbledhur nga i dërguari special i “Liberation” në Tiranë, Louis Seiller.

Që nga rënia e Kabulit, ju keni qenë një nga të parët krerë shtetesh që njoftuat se do të pranoni afganë.

Për të qenë i saktë, e kisha paraqitur këtë temë në qershor, në samitin e NATO-s, që me njoftimin e tërheqjes së forcave amerikane, duke thënë se ishte i nevojshëm hartimi i një plani për të gjithë ata që kishin punuar me ne dhe që do të ishin shënjestra kryesore e talebanëve. Është një detyrim moral për të gjithë shtetet e NATO-s që t’u ofrojnë një strehë atyre që janë në vijën e parë të frontit.

Shqipëria është angazhuar për të mirëpritur në numër të caktuar personash?

Tani për tani, ne kemi njoftuar për një kapacitet prej 4 000 personash. Por, ju duhet ta dini se evakuimi i tyre është i vështirë.

Shqiptarët po tregohen shumë mikpritës me afganët. Mos ndoshta kjo ka të bëjë me faktin që, sikurse jeni shprehur edhe ju, ata kanë qenë “afganët e Evropës” 30 vjet më parë, me rënien e diktaturës?

Sigurisht, por kjo i ka rrënjët edhe më të thella. Paragrafi i parë i Kanunit thotë se “shtëpia e shqiptarit i përket Zotit dhe mikut”. Shqipëria ka qenë i vetmi vend evropian që kishte më shumë hebrenj në territorin e saj pas Luftës së Dytë Botërore, sesa para fillimit të saj. Shqiptarët i mbrojtën hebrenjtë dhe nuk denoncuan as edhe një te nazistët. Jo shumë kohë më parë, ne strehuam rreth 3 000 iranianë, që përfaqësojnë kundërshtarët e ajatollahut dhe të cilët nuk i pranonte njeri.

Qasja juaj nuk mbështetet shumë nga homologët tuaj evropianë.

Do të shprehem shumë qartë, ne nuk e bëjmë këtë për të dhënë leksione. I kuptoj shumë mirë indinjatat. E kuptoj shumë mirë që ka edhe një ndryshim të përgjithshëm sjelljeje, sidomos në vendet shumë të pasura, në lidhje me emigracionin e paligjshëm. Por nuk bëhet fjalë për t’u hapur dyert të gjithë afganëve, të cilët duan të jetojnë në demokraci, kjo është gjë që nuk bëhet. Bëhet fjalë për të shpëtuar ata që kanë besuar në këtë mision demokratizimi dhe lirie. Bëhet fjalë, gjithashtu, edhe për t’i zbardhur faqen NATO-s.

Ju jeni treguar shumë kritik ndaj partnerëve tuaj të NATO-s…

Unë nuk jam kritik, thjesht jam i habitur që detyrimi ynë moral ndaj këtyre njerëzve është lidhur kaq ngushtë me zhgënjimet dhe sajesat që lidhen me emigracionin ilegal. Nëse etërit themelues të Evropës do të mund të na shihnin tani, atyre do t’u vinte turp nga ne. Ata kishin një projekt të bazuar në idealizëm dhe qëllime strategjike, por, sot, ka të bëjë gjithnjë e më shumë me nacionalizmin dhe nënshtrimin ndaj sondazheve të opinionit. Edhe në vendet, ku nacionalistët nuk janë në pushtet, ata ndikojnë në vendimet e të moderuarve në një mënyrë alarmuese. Në Ballkan, për më tepër, ne jemi peng i këtyre vendimeve afatshkurtra të evropianëve të moderuar të përfshirë nga frika e rritjes së të djathtës ekstreme.

Homologëve tuaj evropianë u mungon guximi?

I kuptoj pakënaqësitë e tyre, por, në fund të fundit, nuk duhet të harrojmë se kush jemi për të fituar ca zgjedhje. Mund t’i fitojmë zgjedhjet edhe duke patur guximin për të thënë se, mbi këtë Tokë, ka një kohë për të marrë dhe një kohë për të dhënë. Vjen një kohë për të të ndihmuar dhe një kohë për të ndihmuar.

Emmanuel Macron tha se SHBA do t’ju paguajë për këtë mikpritje.

Nuk është e vërtetë. Deri më tani, tërë afganët që ne kemi pritur nuk janë marrë në ngarkim nga qeveria amerikane. Ata, të cilët ndodhen këtu, kanë punuar për organizatat e të drejtave të njeriut dhe kompani private. Këto organizata nuk na paguajnë gjë, por mbulojnë shpenzimet e tyre. Ka shumë mundësi që ata të cilët kanë ardhur te ne të mos përzgjidhen të gjithë për të jetuar në SHBA, kështu që ne po punojmë me këto organizata për t’i integruar këtu, në Shqipëri.

Shqipëria është edhe vetë një vend emigrantësh dhe azilkërkuesish. Çfarë mund t’u ofrojë ajo këtyre personave?

Amerikanët na kanë propozuar një financim për të ndërtuar kampe. Ne nuk pranuam. Sepse kampet janë çnjerëzore dhe përfaqësojnë një burim pakënaqësish dhe indinjatash për popujt. Ne po përgatisim një projekt për të integruar fëmijët. Një pjesë e mirë e këtyre njerëzve janë gazetarë, teknikë dhe ne po përpiqemi t’i integrojmë në sistemin tonë mediatik. Nëse ju më pyesni “A mund të mirëpresim 100 000 persona?”, kjo gjë nuk është e mundur. Por 4 000, po./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.