Rama në Akademinë Ushtarake “West Point” në Nju-Jork: Njehsim i programeve me Akademinë e FA-së


TIRANË, 20 shtator/ATSH/ Kryeministri Edi Rama vizitoi sot Akademinë Ushtarake “West Point” në Nju-Jork.

Rama, i cili ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të marrë pjesë në Mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara u prit me një ceremoni në Akademinë “West Point”.

“New York – Në Akademinë Ushtarake “West Point”, në kuadër të dialogut të nisur me qeverinë amerikane, për binjakëzimin dhe njehsimin e programeve me Akademinë e Forcave të Armatosura Shqiptare”, shprehet Rama.

Javën e shkuar gjatë fjalës së tij në Parlament, kryeministri Rama informoi se u ka kërkuar aleatëve transformimin e Akademisë së Mbrojtjes në një akademi ushtarake ekselence në partneritet të drejtpërdrejtë me ta, në mënyrë që shkollimi akademik i ushtarakëve shqiptarë, por edhe të tjerëve të NATO-s përreth, të bëhet në kushtet e ekselencës që bëhet në SHBA.

/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.