Ndërgjegjësimi për ndryshimet klimatike, koordinatorja e OKB-së viziton lagunën e Vainit

TIRANË 20 shtator /ATSH-I.Vata/ Koordinatorja e përhershme të OKB-së në Shqipëri, Fiona McCluney vizitoi dje lagunën e Vainit si pjesë e rritjes së ndërgjegjësimit për ndikimin e ndryshimeve klimatike në këto habitate.

Lajmi bëhet i ditur nga Administrata e Zonave të Mbrojtura Lezhë.

“Vizita e koordinatores së OKB-së në Shqipëri vjen  në kuadër të SDGweek 2021 Albania dhe fushatës drejtuar nga FAO për të rritur ndërgjegjësimin për ndikimet e ndryshimeve klimatike në zonat e lagunës dhe opsionet e disponueshme të përshtatjes që kontribuojnë në zhvillimin më të qëndrueshëm dhe arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDG)”, thuhet në njoftim.

Laguna e Kune-Vainit është rreth 8 kilometra larg qytetit të Lezhës dhe shumë pranë atij të Shëngjinit.

Në përbërje të lagunës hyjnë mjedise detare, lagunore, ligatinore, pyje, shkurre dhe livadhe, që ndërthuren hijshëm midis tyre.

Dallohet për larmi të madhe të botës së gjallë rreth 227 specie bimësh, 17 lloje molusqesh, 10 lloje amfibësh, 24 lloje zvarranikësh, disa lloje peshqish si qefulli, levreku, koca, ngjala. Veçanërisht e pasur është bota e shpendëve (196 lloje migratore dhe të përhershëm), e cilësuar si “ornitologjia e Mesdheut”, 23 specie gjitarësh: lepuri, dhelpra, ujku, derri i egër, etj.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.