Myrto Uzuni rekord në Hungari, shënon 6 gola në një ndeshje të Kupës

TIRANË, 20 shtator/ATSH/ Sulmuesi i Kombëtares, Myrto Uzuni ka qenë protagonist absolut në Hungari me Ferencvaroshin gjatë fundjavës së fundit, duke arritur edhe një rekord të rrallë.

Ai ka shënuar plot 6 gola në ndeshjen e Kupës së Hungarisë ndaj Hatvan, që përfundoi me fitoren e thellë 9-0 të Ferencvaroshit.

Uzuni shënoi dy gola që në pjesën e parë, ndërsa në fraksionin e dytë realizoi edhe katër gola të tjerë, një nga të cilët me penallti. Shqiptari po kalon një formë mjaft të mirë më klubin, teksa paraqitja e të dielës është komentuar gjatë në mediat hungareze.

Për më tepër, me 6 gola të shënuar në një ndeshje me Ferencvaroshin, beratasi ka barazuar edhe rekordin e legjendës hungareze Florian Albert. Fituesi i “Topit të Artë” shënonte 6 gola në një ndeshje zyrtare në vitin 1960 ndaj Debreçenit.

Edhe në kampionat Uzuni ka qenë vazhdimisht protagonist me lojën e tij, për të mos harruar edhe faktin që gjatë fazës kualifikuese të Champion League gjatë verës shënoi 4 gola. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.