”Liberation”: Refugjatët afganë të mirëpritur në bregdetin turistik të Shqipërisë

TIRANË, 20 shtator /ATSH/ – Në kundërshtim me shumë shtete evropiane, vendi ballkanik njoftoi se do të pranojë 4 000 refugjatë, shkruan Loius Seiller, i dërguari special i gazetës franceze ”Liberation”.

Qindra persona janë të mirëpritur tashmë në bregdetin turistik. Me veshjet e tyre të gjera, të ecurit e matur, ata stonojnë paksa në mesin e turmave me rroba banjo, që mbushin bregdetin. Edhe pse fëmijët e tyre i kënaqen ujit të ngrohtë dhe jo shumë të thellë të Adriatikut, shumica e afganëve të ardhur kohët e fundit në Shqipëri nuk largohen shumë larg hoteleve me palma, ku janë strehuar.

“Këtu kanë rregulluar gjithçka për ne. Kushtet këtu janë me të vërtetë të pëlqyeshme”, thotë Ferhad, një baba 28-vjeçar, që arriti të hipte në një avion ditën e pushtimit të Kabulit.

“Nuk ngjajnë aspak me kushtet në të cilat jetojnë afganët e tjerë në Katar ose Gjermani, ku njerëzit janë grumbulluar nëpër kampe, kushtet janë shumë të vështira, me qindra familje të bashkuara në një ndarje të vetme”, shton ai.

Pas pushtimit të kryeqytetit afgan nga talebanët, më 15 gusht, tre shtete të vogla nga më të varfërit e kontinentit evropian vepruan në kundërshtim me diskutimet antiemigracion të fqinjëve të tyre duke njoftuar vullnetin e tyre për të mirëpritur afganët e kërcënuar nga pushteti i ri islamik. Aktualisht, janë mbi 1 200 persona të rilokalizuar nga amerikanët në Shqipëri, në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut.

“Njerëzit këtu janë vërtet shumë të sjellshëm dhe e vëmë re se ata përpiqen të na ndihmojnë”, vazhdon Ferhad, me një zë të ngrohtë dhe fytyrë të shenjuar nga mungesa e gjumit.

“Jo të gjithë flasin anglisht, por arrijmë të merremi vesh me gjeste”, thotë ai.

Të strehuar fillimisht, pas mbërritjes së tyre, në godinat e studentëve në Tiranë, refugjatët afganë u shpërngulën shumë shpejt në bregdet, mes turistëve.

Kujtime të dhimbshme  

Prania e tyre në plazhin e Shëngjinit, një qytet 70 kilometra larg Tiranës, nuk përbën ndonjë shqetësim.

“I kam parë të fillojnë të dalin nga kompleksi i hoteleve dhe të përzihen me njerëzit e tjerë”, tregon Aleksi, një roje plazhi 25-vjeçar.

“Duken njerëz të dashur. Për shkak të turizmit, jemi mësuar të shohim njerëz që vijnë nga anembanë botës. Por, në rastin e tyre, ata kanë nevojë për mbrojtje, është normale që t’u vijmë në ndihmë”, shton ai.

Nga qershori në shtator, bregdeti verior i Shqipërisë mbushet me mijëra turistë nga vendet fqinje, sidomos nga Kosova. Fati tragjik dhe shqetësimi i afganëve zgjojnë kujtime të dhimbshme te kosovaarët dhe mjaft empati kundrejt tyre.

“Sprovat që po kalojnë afganët sot u ngjajnë atyre që ne kemi përjetuar 20 vjet më parë”, thotë me zë të mallëngjyer Fatmiri, 60 vjeç.

“Situata e tyre na ngjall trishtim, ndaj, padyshim, ata janë të mirëpritur këtu, në Kosovë, ashtu si edhe në Shqipëri”, shton ai.

Arratia nga lufta dhe rruga e mërgimit është ajo çfarë kanë përjetuar gati 80 për qind e dy milionë kosovarëve në pranverën e vitit 1999. Besniku ishte adoleshent kur forcat serbe filluan dëbimet në masë në Kosovë. Së bashku me familjen e tij, ai qëndroi tre muaj si refugjat në Shqipëri. Asokohe, vetë vendi po merrte veten nga një konflikt i brendshëm i dhunshëm. Ky baba i ri, me vëthë në vesh dhe syze dielli, nuk arrin ta kuptojë egoizmin e disa vendeve evropiane.

“Është një gjë e tmerrshme që disa vende refuzojnë t’i pranojnë afganët”, thotë me dëshpërim ai.

“Vendet që nuk kanë luftë duhet të ndihmojnë ata që vuajnë nga lufta. Këtu, ne njihemi për traditën e mikpritjes dhe kjo është diçka e mirë”, vazhdon më tej.

Ndërsa Kosova është paraqitur vetëm si një vend tranzit për afganët drejt SHBA-së, pjesa më e madhe e 4 000 afganëve, që Shqipëria është angazhuar të pranojë, do të qëndrojnë aty.

Rindërtimi i një jete të re

Në një shoqëri të shenjuar nga largimi i trurit dhe ku tema politike antiemigracion nuk ekziston, ky emigrim i padëgjuar perceptohet pak a shumë si një fat.

“Njerëzit e ardhur janë pjesë e elitës afgane”, analizon politologu Agon Maliqi.

“Ata kanë punuar për adminitratën ose organizata të të drejtave të njeriut. Ata janë të përgatitur dhe flasin anglisht, kështu që mund t’u përgjigjen nevojave të ekonomisë së vendit”.

Të rindërtosh jetën në Shqipëri? Farzad e përfytyron një gjë të tillë. Ai ka punuar si gazetar në Herat, në perëndim të Afganistanit. Edhe pse, si të gjithë të tjerët, ai shpreson që t’i miratohet kërkesa e tij për vizë nga administrata aamerikane, ai nuk rri kot në dhomën e hotelit.

“Ç’kemi! Si je! Kam zënë një mik, i cili po më mëson shqipen”, bën shaka babai 28-vjeçar.

Një moskokëçarje dhe buzëqeshje që nuk zgjat shumë. Si bashkëkombasit e tij, të ulur në shezlonët e gjatë pranë pishinës, ai shqetësohet për të afërmit e tij që kanë mbetur në vendlindje.

Me sytë e ngulur nëpër telefona, të gjithë presin me ankth të rejat e fundit që vijnë nga Afganistani./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.