Krujë, fluks turistësh të huaj edhe në fund të sezonit veror 

TIRANË, 20 shtator /ATSH/ Fluksi i turistëve të huaj në vendin tonë, vijon edhe pse jemi drejt fundit të sezonit turistik veror.

Milva Ekonomi, ministre e shtetit për Standardet dhe Shërbimet, njëherazi deputete e qarkut të Durrësit, solli pamje nga grupet e ndryshme të turistëve të huaj, që në këto ditë të messhtatorit, vijojnë vizitat në qendrat e zonat turistike të Shqipërisë.

“Pamje të grupeve të turistëve të huaj nga Pazari i Vjetër i Krujës, edhe pse jemi drejt fundit të sezoni turistik veror”, shprehet Ekonomi.

Në Krujë, Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” dhe Muzeu Etnografik zgjojnë interes të veçantë të turistëve vendas e të huaj, të cilët mbeten të mahnitur nga historia dhe traditat shqiptare.

Sipas të dhënave zyrtare, gjatë muajve qershor-gusht 2021, qyteti i Krujës ka pasur fluks të madh të turistëve, ku pjesa më e madhe vijnë nga Ukraina, Izraeli, Serbia dhe Polonia.

Nga janari deri në qershor këto muze i kanë vizituar 13 mijë vizitorë, 2.5 herë më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Qyteti i Krujës është një nga destinacionet kryesore të turistëve në Shqipëri. Zona turistike Pazari i Krujës është cilësuar monument kulture i kategorisë së parë nga Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe është një nga destinacionet turistike më të vizituara në vend në çdo stinë të vitit.

Krahas Pazarit, qyteti i Krujës ofron edhe vende të tjera interesante për t’u vizituar nga turistët, ku ndër të tjera mund të përmendet Kalaja, apo edhe bujtinat e ndryshme agroturistike që ofrojnë ushqime tradicionale mjaft tërheqëse në ambiente me peizazhe piktoreske.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.