Korçë, mbi 700 atletë veteranë në Kampionatin e 30-të Ballkanik

TIRANË, 20 shtator /ATSH/ Qyteti i Korçës mirëpriti eventin më të madh sportiv, për herë të parë në Shqipëri, kampionatin e 30-të Ballkanik të atletëve master.

Kryetari i bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo publikoi momente nga ky aktivitet teksa u shpreh se “720 atletë nga Ballkani, Evropa, Kosova dhe Shqipëria janë bërë pjesë e këtij aktiviteti fantastik tek zona sportive në Korçë”.

Sipas tij, pavarësisht situatës pandemike mbi 610 atletë të huaj dhe 100 atletë shqiptarë të ardhur nga të gjitha qytetet e vendit, u bënë pjesë e këtij eventi të rëndësishëm.

“Aktivitete të tilla sportive janë shumë të rëndësishme edhe për ekonominë lokale, ndërsa atletët veteranë japin një mesazh frymëzimi për të rinjtë”, u shpreh Filo.

Kampionati Ballkanik i Atletëve Master u zhvillua në 3 ditë (18-20 shtator) duke sjellë një atmosferë ndryshe për qytetarët korçarë.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.