Kina lëshon anijen kozmike “Tianzhou-3”

PEKIN, 20 shtator /ATSH-AA/- Kina ka lëshuar sot një anije kozmike të mallrave për stacionin e saj në ndërtim e sipër, tha agjencia hapësinore e këtij vendi.

Agjencia Kineze e Hapësirës (CMSA) në një deklaratë tha se raketa Long March 7 Y4 mbante anijen kozmike “Tianzhou-3” në hapësirë nga qendra e lëshimit Wenchang në provincën Hainan në jug të Kinës.

Anija kozmike që mbante furnizime, pajisje dhe shtytës, u lëshua rreth orës 15:10.

“Rreth 597 sekonda më vonë, anija kozmike dhe raketa u ndanë me sukses dhe hynë në orbitën e planifikuar. Panelet diellore të anijes u vendosën pa probleme dhe funksionuan normalisht ndërsa lëshimi ishte sukses i plotë”, tha CMSA.

Ky ishte misioni i 20-të i nisjes së projektit hapësinor të drejtuar nga Kina dhe fluturimi i 389-të i serisë së raketave bartëse Long March të ndërtuar në vend, thuhet në deklaratë.

Misioni i sotëm do të përgatisë modulin bazë Tianhe të stacionit hapësinor Tiangong të Kinës për lëshimin e ardhshëm në tetor të tre astronautëve, të njohur si taikonautët, nën misionin “Shenzhou-13”.

Misioni i caktuar për muajin e ardhshëm pritet të zgjasë gjashtë muaj./  /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.