”Daily Mail”: Tirana kryeqyteti më i lirë turistik evropian

TIRANË, 20 shtator /ATSH/ – Tirana është qyteti me çmimet më të arsyeshme në Evropë për pushuesit britanikë, sipas gazetës britanike ”Daily Mail”.

Konstatimi i sipërcituar vjen nga ”Post Office Travel Money”, që krahasoi koston e artikujve tipikë të pushimit në 40 qytete të ndryshme, përfshirë një sërë pijesh, një darkë për dy veta me verë, akomodim dy netë në fundjavë në hotel me tre yje, ture si edhe transportin brenda qytetit.

Në Tiranë ku kosto mesatare shkon 132 sterlina, një filxhan kafe kushton vetëm 61 cent dhe akomodimi për një fundjavë shkon 61 sterlina. 

Në Katovicë, Poloni që renditet e dyta, çmimi mesatar është 24 për qind më i shtrenjtë, në 164 sterlina, kryeqyteti lituanez Vilnius renditet i treti me 166.

Oslo është qyteti më i shtrenjtë me 429 sterlina. Atje, një birrë kushton 7,42 sterlina dhe akomodimi për dy netë do t’ju kushtojë 157 sterlina.

Sidoqoftë, qytetet e Evropës Lindore nuk e dominojnë plotësisht tregun e artikujve me çmime të arsyeshme.

Lisbona renditet qyteti i katërt për çmimet në Evropë për britanikët./ /sm/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.