BRUKSEL – Von der Leyen: Franca është trajtuar në mënyrë të papranueshme nga marrëveshja AUKUS

BRUKSEL, 20 shtator /ATSH-AFP/ – Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e konsideroi “të papranueshme” mënyrën se si Franca u trajtua në kuadër të paktit të sigurisë i lidhur midis SHBA-së, Australisë dhe Britanisë së Madhe, AUKUS.

“Një nga shtetet tona anëtare është trajtuar në një mënyrë që nuk është e pranueshme (…). Ne duam të dimë se çfarë ndodhi dhe pse”, tha Von der Leyen për kanalin amerikan të lajmeve CNN.

Von der Leyen është kreu i parë i një institucioni evropian që reagon ndaj shpalljes së këtij pakti, që rezultoi me përfundimin e një kontrate të rëndësishme armësh midis Francës dhe Australisë.

Me vlerë 90 miliardë dollarë australianë (56 miliardë euro), ai parashikonte furnizimin e 12 nëndetëseve dhe shpesh përshkruhej si “kontrata e shekullit”.

Sipas kreut të diplomacisë evropiane, Josep Borrell, BE nuk ishte as konsultuar dhe as informuar para shpalljes së partneritetit strategjik për rajonin Indo-Paqësor, i përfunduar midis Uashingtonit, Londrës dhe Kanberrës.

Ministrat e Jashtëm të vendeve të BE-së pritet të diskutojnë pasojat e këtij pakti gjatë një takimi në Nju Jork, në periferi të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.