Basha: Askush s’mund ta cenojë aleancën dhe partneritetin mes PD-së e SHBA-ve

TIRANË, 20 shtator/ATSH/ Partia Demokratike reagoi sot pas publikimeve në media të lajmeve se kreu i PD-së Lulzim Basha e ka etiketuar anëtarësinë si antiamerikane.

Në një deklaratë për shtyp PD sqaroi se kryetari i Partisë Demokratike në asnjë moment nuk e ka etiketuar anëtarësinë, që është shpirti i PD-së, si antiamerikane. Sipas PD-së, ky është një trillim i qëllimshëm nga ata që prej kohësh keqpërdorin gjithçka për interesa personale.

“Kryetari i Partisë Demokratike në asnjë moment nuk e ka etiketuar anëtarësinë, që është shpirti i PD-së, si antiamerikane. Ky është një trillim i qëllimshëm nga ata që prej kohësh keqpërdorin gjithçka për interesa personale. Basha ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë, janë dhe do të jenë aleati i Partisë Demokratike për një Shqipëri të zhvilluar dhe demokratike dhe askush nuk mund ta cenojë aleancën dhe partneritetin mes Partisë Demokratike dhe SHBA-ve”, thuhet në deklaratë.

Më herët sot PD mblodhi kryesinë e grupit parlamentar.

Deputeti Enkelejd Alibeaj pas mbledhjes së kryesisë deklaroi se në fokus ishte strategjia e opozitës në parlament.

“Diskutuam strategjinë e opozitës në parlament, pastaj do detajojmë punën në komisione. Armiku i vetëm i shqiptarëve është Edi Rama. Me atë do luftojmë të gjithë, me strategji dhe me çdo mjet tjetër”, tha ai.

/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.