Atdhetari Çerçiz Topulli përkujtohet në 141-vjetorin e lindjes

TIRANË, 20 shtator/ATSH/ Si sot 141 vjet më parë lindi atdhetari dhe veprimtari i shquar i Rilindjes Kombëtare, Çerçiz Topulli.

Mësimet e para Çerçiz Topulli i mori në qytetin e lindjes, në Gjirokastër dhe vazhdoi më tej shkollimin në Janinë. Ai mori pjesë në veprimtarinë e Komitetit të Fshehtë ‘‘Për lirinë e Shqipërisë’’.

Në prill 1907 komandoi çetën e armatosur që vepronte në Shqipërinë e Jugut dhe më 1908 anëtarë të çetës së tij vranë komandantin e xhandarmërisë.

Në janar 1907 gazeta ‘‘Shpresa e Shqipërisë’’ boton thirrjen e tij ‘‘Nga malet e Shqipërisë’’, ku dënonte grabitjen e administratës osmane dhe bënte thirrje për shkëputje nga Perandoria me anë të kryengritjes së armatosur.

Pas fitores së revolucionit xhonturk të 1908 punoi për formimin e klubeve shqiptare dhe për hapjen e shkollave shqipe në vise të ndryshme të vendit. Pas Shpalljes së Pavarësisë u vu në shërbim të qeverisë së Vlorës ku luftoi për mbrojtjen e tërësisë territoriale të vendit.

Më 15 korrik u pushkatua në Shkodër nga forcat malazeze.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkvave përkujton Çerçiz Topullin duke publikuar një foto të tij, si dhe një foto të monumentit kushtuar Topullit që u vendos më 18 mars 1934 në Gjirokastër, i realizuar nga skulptori Odhise Paskali.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.