60-vjeçari humbi jetën në minierë, policia e Bulqizës procedon 2 teknikë

TIRANË, 20 shtator/ATSH/ Në vijim të ngjarjes së ndodhur me datë 15 shtator, ku si pasojë e shembjes së një masivi mineralesh mbeti i bllokuar në një galeri kromi shtetasi M.P., 60 vjeç, pas disa ditësh pune të pandërprerë për pastrimin e galerisë, rreth orës 23:50 të ditës së djeshme u bë e mundur gjetja e trupit dhe nxjerrja e tij nga galeria.

Për ngjarjen e mësipërme është ndaluar nga Policia drejtuesi teknik i një subjekti minerar, si dhe është proceduar penalisht në gjendje të lirë tekniku i subjektit minerar.

Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Bulqizë, u bë ndalimi i shtetasit V. L., 61 vjeç, banues në Bulqizë, me detyrë drejtues teknik si dhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin S. H., 54 vjeç, banues në Bulqizë, me detyrë teknik miniere, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.

Shtetasit e lartpërmendur kanë patur detyrimin ligjor për kontrollin e vazhdueshëm të gjendjes teknike të galerisë, ku si pasojë e neglizhencës së tyre, mesditën e datës 15 shtator në një nga nënkatet e një subjekti minerar, është shembur një masiv materiali dhe për pasojë ka humbur jetën 60-vjeçari që ishte punëtor në minierë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër për veprime të mëtejshme.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.